Projektbuxheti i 2022/ Guvernatori i BSH: Rishikim periodik i skemave sociale dhe një tavan për vlerën totale të PPP-ve

05/11/2021 11:30

Në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave prej ditësh po diskutohet projektligji për buxhetin e vitit 2022, i propozuar nga qeveria. Sot ka qenë radha e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko që të japë mendimin e tij. Në fjalën e tij, Sejko është ndalur në shumë problematika, por kryefjalë e këtij komisioni këtë të premte ishte projektbuxheti 2022, eurobondi, kartmonedhat e reja, koncesionet dhe institucionet jo-banka.

Sejko deklaroi se ky projektbuxhet përcakton qëndrimin e politikës fiskale 2022, si dhe jep fonde për zhvillimin. Ai tha se politikat tona ekonomike duhet të orientohen drejt normalizimit pasi kjo do i shërbejë forcimit të qëndrueshmërisë të financave të vendit.

“Ndikimi i dy goditjeve ka gjasa të jetë i ulët në afatmesëm. Reduktimi i kufizimeve, përmirësimi i besimit të biznesit dhe familjet dhe politika fiskale e monetare kanë ndikuar në rikuperimin ekonomik.  Perspektiva e zhvillimit është pozitive dhe rimëkëmbja do vijë drejt konsolidimi. Politika fiskale dhe monetare duhet të vij drejt normalizimit. Duhet të ketë konsolidim fiskal dhe tërheqje të stimujve fiskal në ekonomi”, tha Guvernatori.

Po kështu Banka e Shqipërisë sugjeron rishikimin periodik të skemës së pensioneve, atë të sigurimeve shëndetësore dhe skemat e tjera të sigurimeve sociale, me synim ruajtjen e këtyre skemave në trajektore të qëndrueshme dhe të përballueshme për buxhetin e shtetit.

Për eurobondin Guvernatori tha se është një kuotim në tregjet ndërkombëtare dhe mund të ketë një ofrim që mund të jetë më shumë se 700 milionë euro. Ai e ndan këtë mendim për shkak të eksperiencës së mëparshme të qeverisë shqiptare, ku sipas tij, herën e kaluar besimi ishte i lartë ndaj Shqipërisë dhe shuma e ofruar ishte pothuajse dyfish e asaj që u kërkua dhe norma e interesit ishte e përshtatshme. Sejko tregoi se ishte në nivelin 3.5%, që konsiderohet një normë shumë e mirë interesi.

Ju po diskutoni të merrni një borxh në nivelin 500-700 milionë, por edhe në buxhetin e shtetit kjo shifër është 700 milionë euro. Sigurisht që ka një parashikim nga Ministria e Financave që mund të ketë edhe huamarrje në tregun e brendshëm. Tani dihet, pavarësisht nga shifra që fiksohet për të marrë një eurobond, ky i fundit është kuotim në tregjet ndërkombëtare mund të ketë një ofrim që mund të jetë më shumë se 700 milionë euro, them mund se ende nuk e dimë, herën e kaluar besimi i ishte i lartë ndaj Shqipërisë dhe shuma e ofruar ishte pothuajse dyfish e asaj që u kërkua dhe norma e interesit ishte e përshtatshme, ishte në nivelin 3.5% që konsiderohej një normë shumë e mirë interesi. Në këtë rast do të shohim, nëse do të plotësohet nevoja për eurobondin 700 milion euro, sigurisht që nevoja për huamarrje në tregun e brendshëm nuk do të jetë imediate, s’do jetë aktuale”, tha Sejko.

Ai tha se nëse do të lindte nevoja për tregun e brendshëm, sistemi bankar është i gatshëm të marrë pjesë, sepse ka likuiditet të tepërt.

Nëse do të lindte nevoja për tregun e brendshëm, sigurisht sistemi financiar, sistemi bankar, është i gatshëm të marrë pjesë, pasi ne e kemi theksuar se është një sistem bankar likuid me rreth 47-48 për qind me tepricë likuiditeti. Pra raporti kredi/depozitë është 50 me 50% dhe bankat janë gjithmonë të gatshme të marrin pjesë në huamarrjen e tregut të brendshëm”, tha ai.

Sejko tha se raporti kredi/opozitë është 50 me 50 dhe bankat janë të gatshme, por sipas tij, nëse do të merrej në tregun e brendshëm do të ishte një shumë e madhe, pavarësisht se likuiditetin e ka.

Natyrisht nga një këndvështrim, ne nuk do donim, nëse do të supozonim që e gjithë huamarrja e eurobondit me 700 milionë euro që do merret në tregun ndërkombëtar, do të dilej në tregun e brendshëm kjo vlerë do të ishte një shumë e madhe për tregun financiar shqiptar, pavarësisht se ky treg i ka këto kapacitete likuiditeti, pra do t’i përgjigjet se vlerën e ka, por do të krijonte disbalanca makro-ekonomike qoftë në normat e interesit, qoftë në kursin e këmbimit por dhe s’do donim që vlera kaq të mëdhaja të kufizonin aftësitë e bankave për kreditim”, tha Sejko.

Guvernatori Sejko është ndalur edhe tek rritja e çmimeve në vend dhe masat e marra nga Banka e Shqipërisë në lidhje me inflacionin. Ai theksoi se një rritje e tillë vjen si pasojë e faktorëve të ofertës, pasi produktet janë të importuara nga tregjet ndërkombëtare.

Rritja e çmimeve vjen si pasojë e faktorëe të ofertës. Pra është një inflacion i importuar nga tregjet ndërkombëtare. Nga rritja e çmimit të naftës, energjisë dhe transportit. Kjo gjë sjell edhe rritjen e çmimeve për të gjithë produktet e tjera, qofshin ato edhe ushqimore. Banka e Shqipërisë si instrument të saj bazë ka normën e interesit. Unë e theksova edhe më herët se nuk e shikojmë të nevojshme të ndryshojmë kahun e politikës monetare. Mendojmë se ekonomia shqiptare ka nevojë akoma për stimul monetar. Megjithatë kjo do të jetë në varësi të nivelit të inflacionit që do të konfirmohet nga INSTAT në muajt pasardhës. Nëse do të kishim një inflacion më të fortë sa e presim, atëherë edhe ne do të konsiderojmë kahun e politikës monetare”, tha Sejko.

Po ashtu Sejko është shprehur se masa e parasë që hidhet në qarkullim është e kalkuluar dhe prerjet e reja janë thjesht përmirësim i cilësisë së monedhave, duke rritur elementet e sigurisë.

Ai tha se prerja më e lartë është bërë për nevoja thesarizimi, pasi paraja në qarkullim është rritur disa herë dhe sigurisht nevoja për stoqe nga bankat e nivelit të dytë dhe Banka e Shqipërisë ka rritur nevojën për të pasur një prerje më të lartë.

“Masa e parasë që hidhet në qarkullim është e kalkuluar nga Banka Qendrore dhe prerjet ose primtimi i ri i kartmonedhës është thjeshtë përmirësim i cilësisë se monedhës duke rritur elementet e sigurisë dhe duke e përshtatur kartmonedhën me përmasa bashkëkohore dhe element bashkëkohorë edhe nëse ne nuk do kishim emision të ri, do të vazhdonim me emisionin e vjetër, ndërsa paraja në qarkullim do të ishte po ajo që ishte, pavarësisht nga prerjet. Prerja më e lartë është bërë për nevoja thesarizimi duke qenë se sasia e parasë në shumë vite, flasim që nga vitit 1996 duke qenë se ka qenë emisioni i fundit i kartmonedhës, paraja në qarkullim është rritur disa herë dhe sigurisht nevoja për stoqe, thesarizim do të thotë stoqe, nga bankat e nivelit të dytë, Banka e Shqipërisë, por edhe qarkullimi ka rritur nevojën për të pasur një prerje më të lartë”, tha Sejko.

Guvernatori theksoi se emisioni dhe printimi i parasë ka një formulë, sigurisht këtu ndikon edhe tregu dhe ne do t’i përgjigjemi kërkesave të tregut, por nuk ka asnjë ndikim në inflacion.

“Nëse do të kishte një inflacion edhe shumë më të lartë në një situatë hipotetike, po marrë këtu në krahasim rastin e krizës së Turqisë para shumë vitesh dhe situata do të kërkonte të printohej një para me disa zero mbrapa, atëherë do të ishte një situatë e veçantë që kemi parë shtete të ndryshme që i janë përgjigjur. Por ne nuk jemi në këtë situatë. Premtimi i kartmonedhës së re është bërë për të rritur elementet e sigurisë dhe kjo është parashikuar mbi dhjet vite më parë. Bile ne kemi qenë të vonuar në procesimin e këtij procesi, dhe kjo nuk ka ndikim në parametrat makro-ekonomik, nivelin e borxhit dhe inflacion”, tha ai.

Pas më shumë se 20 vitesh nga fillimi i hedhjes në qarkullim të serisë aktuale të kartëmonedhave Lek, Banka e Shqipërisë lajmëroi serinë e re të përmirësuar të kartëmonedhave shqiptare, të cilat do të hidhen në qarkullim gradualisht.

Seria e re erdhi me një dizajn të rifreskuar, duke i dhënë kartëmonedhës shqiptare pamjen e një kartëmonedhe moderne, në të njëjtën kohë rezistente, me cilësi, integritet dhe besueshmëri të lartë, me standarde të kartëmonedhave të vendeve më të përparuara.

Kjo seri është prodhuar me teknologjinë më të fundit të fushës, me elemente të reja sigurie, duke i bërë ato më të sigurta ndaj falsifikimit. Seria e re e kartëmonedhave Lek do të përmbajë 6 prerje: 200, 500, 1000, 2000, 5000 dhe prerjen e re 10000 Lekë.

Sejko këtë të premte deklaroi se në shqyrtimin e projektbuxhetit të vitit që vjen, duhet të vendoset një tavan afatgjatë për vlerën e përgjithshme të koncesioneve.

Projektbuxheti i vitit 2022 parashikon se pagesat nga buxheti i shtetit për detyrimet që lindin nga kontratat koncesionare dhe PPP-të do të jenë brenda kufizimeve ligjore, më konkretisht në nivelin 3% të të ardhurave tatimore të vitit paraardhës. Megjithatë, në linjë dhe me qëndrimet tona të mëparshme, Banka e Shqipërisë sugjeron, përfshirjen e tavaneve ligjore afatgjata mbi vlerën e përgjithshme të kontraktuar të PPP-ve. Ky rregullim do të ishte një element plotësues i kontrollit të nivelit të rrezikut potencial që PPP-të mund të kenë mbi shëndetin e financave publike”, tha ai.

Sipas tij, për këto kontrata duhet një monitorim i vazhdueshëm dhe të përmirësohet mënyra e zgjedhjeve të kontratave koncesionare, në mënyrë që të mos ngarkohet buxheti i shtetit.

Integrimin e procesit të kontraktimit dhe përzgjedhjes së PPP-ve me programin strategjik të investimeve, sikundër janë identifikuar në programet afatgjata të zhvillimit të vendit. Përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale të njësive që administrojnë vlerësimin, kontraktimin dhe monitorimin e këtyre projekteve, sidomos sa i takon detyrimeve ligjore dhe financiare që ato i ngarkojnë Buxhetit”, deklaroi ai.

Për vitin 2022, është parashikuar që për kontratat koncesionare aktive, buxheti i shtetit të paguaj 13.8 miliardë lekë. Ndërkohë Banka e Shqipërisë kërkon që të përmirësohet procesi i përzgjedhjes së projekteve.

Banka e Shqipërisë: vlerëson se disiplinimi i shpenzimeve korrente dhe rritja e qëndrueshme e bazës së të ardhurave publike do të krijojnë premisa për ruajtjen e hapësirave për investime publike, edhe në prani të konsolidimit fiskal; dhe gjykon se procesi i përzgjedhjes së projekteve të investimeve mund të përmirësohet më tej, nëpërmjet adoptimit të një strukture formale të vlerësimit të rentabilitetit të tyre në kohë”, tha ai.

Këtë të premte Sejko është ndalur edhe tek institucionet financiare të emërtuara si fonde apo jo-banka që në disa raste kanë abuzuar me normat e interesit për kreditë e dhëna dhe sidomos me kamatëvonesat.

Ai tha se janë konstatuar raste ku interes vonesat kanë qenë disa herë më të larta se pricipali. Sejko nuk përjashtoi edhe vendosjen e një tavani për normat e interesit në formë ligjore, në kushtet kur tani masa është vetëm administrative.

Sa i takon institucioneve jo-financiare ka një shqetësim sa i takon normave të larta interesi. Banka e Shqipërisë ka miratuar një rregullore që vendos një tavan për këto institucione. Është një masë administrative por ndoshta duhet të  ishte ligjore, por do të shohim se si do të funksionojë. Ka një pakënaqësi nga ana e këtyre institucioneve, pasi kanë një kosto të lartë risku, dhe japin kredi pa kolateral dhe i japin me norma më të larta interesi, por kemi vënë re dhe kemi marrë dhe masa ndëshkuese të teprimit dhe abuzivizmi, kur norma e interesit ka shkuar me disa herë më e lartë, sidomos interes vonesat kanë qenë disa herë më të larta mbi pricipialin. Dua të theksoj se institucionet jo-banka mbulojnë një treg rural, ku bankat s’e mbulojnë me kredi për sektorin bujqësor, apo kredi konsumatore”, tha ai.

Sejko kërkoi nga qytetarët që të lexojnë kontratat e kredisë përpara se ti firmosin, dhe theksoi që ka probleme me negocimin e kamatëvonesave mes qytetarëve dhe institucioneve jo-banka.

Problematika që vjen me qytetar apo biznese të vogla kanë një ngërç dhe duan të negociojnë, këto institucione me normat me interes-vonesat nuk… negociojnë, domethënë ka një pakënaqësi por kontrata mes qytetarit e institucionit është ligjore dhe duhet respektuar. Duhet të lehtësohet kontrata se ke marrë një borxh dhe duhet shlyer. Lexoni kontratën përpara se ta firmosni, dhe mos thoni norma ishte e lartë pasi e keni firmosur”, sqaron guvernatori.

Top Channel