Dritan Hoxha, themeluesi i Top Media

16 tetori çdo vit është një ditë e shënuar për Top Channel.

Shtëpia jonë e madhe mediatike feston nisjen e sezonit të ri televiziv. 16 tetori është edhe ditëlindja e themeluesit Dritan Hoxha. Dashuria me të cilën Tani e ndërtoi këtë televizion u shpërblye me suksesin e punës në grup të të gjithë pjesëtarëve të një gjiganti mediatik si Top Channel ndër vite.

Ne ende festojmë, prodhime e reja të suksesshme që nisin çdo vit, me dhjetëra show e lajme më të ndjekura. Vrulli që ai i dha Top Channel ndihet ende edhe tani pas kaq vitesh që Tani mungon fizikisht. Televizioni që ai ndërtoi është sërish i suksesshëm dhe më i madh. Top Channel ia ka dalë që gjithë këto vite të kalojë edhe vetveten falë punës shumë të madhe të çdo punonjësi të familjes së madhe.

Asnjë vështirësi nuk e ka arritur të ulë ritmin e ecjes së vrullshme. Nga sezoni në sezon, Top Channel që themeloi Dritan Hoxha mban padiskutim vendin e parë, numrin një.

Top Channel ka më shumë ide, inovacion, teknologji, prodhime, pasion e energji krijuese. Kjo na bën pikë referimi dhe motor të revolucionit mediatik mes shqiptarëve. Top Channel vijon ëndrrën e Tanit për të qenë i të gjithë shqiptarëve, i besueshëm, i madh dhe i kudondodhur. Ne sot jemi të parët në numrin më të madh të prodhimeve televizive shqiptare. Të parët në shikueshmëri. Të parët në botën e “Youtube”. Të parët edhe në shtëpitë tuaja!

16 tetori është gjithmonë një ditë për të kujtuar dhe festuar dhe ne sot kujtojmë themeluesin e Top Media, Dritan Hoxha.

Top Channel