Prenë pemët në pyll dhe i ngarkuan në furgonë, arrestohen dy persona në Lezhë

22/09/2021 08:59

Dy shtetas, që dyshohet se prisnin në mënyrë të jashtligjshme pemët janë arrestuar në Lezhë.

Policia ka ndaluar 32-vjeçarin me iniciale M.G. dhe 56-vjeçarin me iniciale P.Gj. në vendet e quajtura “Ish-Uzina Rubik” dhe “Qafë Mollë”.

Ata do të hetohen nga Prokuroria e Lezhës për krim mjedisor.

Njoftimi i policisë:

Në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e Policisë Mirditë, në bashkëpunim me shërbimet e Njësisë Operacionale të Autostradës Milot-Morinë, kanë konstatuar dhe ndaluar në vendet e quajtura “Ish-Uzina Rubik” dhe “Qafë Mollë”, Mirditë, 2 automjete që transportonin lëndë drusore.

Gjatë kontrollit të ushtruar, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se drejtuesit e këtyre mjeteve, shtetasit M. G. dhe P. Gj., po transportonin lëndë drusore të prerë në mënyrë të paligjshme.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin dhe Parandalimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Mirditë kanë proceduar penalisht për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, shtetasit M. G., 32 vjeç dhe P. Gj., 56 vjeç, banues në Mirditë.
Materialet në ngarkim të tyre janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Digjital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.

Top Channel