Kosova është gati për t’u përballur me Greqinë në “Fadil Vokrri” të Prishtinës, ndërsa trajneri Bernard Challandes është rikthyer sërish te transferta ndaj Gjeorgjisë dhe ka vlerësuar paraqitjen e të tijve.
“Jam shumë i lumtur me ndeshjen në Gjeorgji, jo vetëm për rezultatin, por Fillimisht kemi bërë paraqitje të mirë teknikisht dhe mendërisht. Ekipi ishte kolektiv, por tani na pret ndeshje e vështirë kundër Greqisë. Ekipi ka luajtur me mentalitet të mirë, djemtë ishin të bashkuar. Ishte mentalitet ndryshe edhe në taktikë e teknikë. Ka qenë e rëndësishme mënyra se si kemi luajtur me topin dhe si jemi mbrojtur. Rashani, Kastrati e Bytyqi bënë një ndeshje shumë të mirë ndaj Gjeorgjisë, pasi janë futbollistë që mbajnë topin dhe i japin frymëmarrje skuadrës”, deklaroi tekniku i “Dardanëve”.
Sfida ndaj helenëve do të jetë natyrisht me një shkallë vështirësie më të madhe, megjithatë trajneri Challandes shfaqet optimist dhe deklaron se pret që të tijtë të konfirmohen me një tjetër paraqitje bindëse.
“Ndeshja me Greqinë është e rëndësishme për ta konfirmuar ndeshjen e mirë në Gjeorgji. Luajmë ndaj një ekipi me lojë e lojtarë të mirë, ndaj duhet të tregojmë edhe një herë lojë të mirë e të fortë. Ndeshja e parë ishte e mirë, ndërsa sfida e dytë nuk duhet të jetë problem, nuk kemi shumë lojtarë me lëndime. Rigjenerimi shkoi shumë mirë dhe mund të them se jemi përgatitur mirë për ndeshjen e dytë. Ndeshja e tretë do të jetë e vështirë, pasi duhet të kemi kujdes edhe nga kartonët. Megjithatë lojtarët janë gati për duelin e së dielës”, tha zvicerani.
Ndonëse situata me koronavirusin është mjaft shqetësuese në Kosovë, është marrë miratimi që dyert e “Fadil Vokrrit” të hapen për tifozët në masën 10% të kapacitetit, një shifër kjo e ulët, por për Challandes mjaft e rëndësishme.
“Është shumë e rëndësishme që tifozët janë kthyer. Nuk është njësoj kur stadiumi është i mbushur plot dhe kur është vetëm 10 për qind, por është gjë e mirë që një numër i tyre do të jetë në tribuna. Covid-19 na ka shkaktuar shumë probleme, por me 10% “Dardanët” mund të bëjnë shumë zhurmë”, u shpreh Challandes.
Top Channel