Risi anglishtja në klasë të parë/ Ministrja Kushi publikon Udhëzimin për fillimin e vitit të ri shkollor në sistemin parauniversitar

17/08/2021 12:20

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi dhe Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj firmosën “Udhëzimin për vitin e ri shkollor 2021-2022 në sistemin parauniversitar”.

Ky udhëzim orienton dhe ndihmon institucionet arsimore në zbatimin sa më efikas të politikave arsimore dhe krijimin e një mjedisi sa më miqësor dhe gjithëpërfshirës për të gjithë nxënësit.

Ky dokument prej 18 faqesh vë theksin tek nevoja e përsëritjes së temave mësimore të vitit të kaluar, zbatimin me përpikmëri të planeve mësimore për çdo nivel arsimor, zbatimin e politikave dhe strategjive ndërsektoriale, marrëveshjeve, nismave, programeve e projekteve në funksion të rritjes së cilësisë në sistemin arsimor parauniversitar.

Gjithashtu, në këtë udhëzim është përfshirë edhe futja për herë të parë e gjuhës angleze në klasat e para dhe trajnimin e mësuesve përkatës, regjistrimi me përparësi i fëmijëve me nevoja të veçanta, konsolidimi i shkollave si qendra komunitare, reduktimi i braktisjes shkollore, zbatimi i planeve për parandalimin e bulizmit dhe ekstremizmit, si dhe zbatimin e programit të ri të arteve, zejeve dhe sporteve.
Dokumenti është bashkëfirmosur edhe nga Ministrja Anila Denaj sepse përmban edhe udhëzime të posaçme për institucionet e arsimit profesional.

Udhëzimin e gjeni në linkun e mëposhtëm:
http://arsimi.gov.al/udhezim-i-perbashket-nr-17-date-16-08-2021-per-vitin-shkollor-2021-2022-ne-sistemin-arsimor-parauniversitar/

Top Channel