‘Nëse ndonjë udhëheqës vritet, armët do të hidhen automatikisht’, Koreja e Veriut ndryshon Kushtetutën, kërcënim i ri bërthamor pas tensioneve globale

11/05/2026 21:02

Kim Jong Un ka forcuar ndjeshëm doktrinën ushtarake të vendit duke futur në Kushtetutën e Koresë së Veriut një nen që parashikon nisjen automatike të një sulmi bërthamor në rast se udhëheqja e vendit eliminohet ose sistemi i komandës dhe kontrollit të armëve bërthamore rrezikohet.

Vendimi, i miratuar nga Asambleja Supreme Popullore në Phenian dhe i bërë publik nga shërbimet e inteligjencës së Koresë së Jugut, e kthen parandalimin bërthamor të vendit në një dispozitë kushtetuese, duke e bërë atë pjesë të themelit të shtetit.
Sipas formulimit të ri, çdo sulm ndaj udhëheqjes ose sistemit bërthamor do të pasohet “menjëherë dhe automatikisht” nga një përgjigje bërthamore.
Analistët ndërkombëtarë e lidhin këtë vendim me përshkallëzimin e tensioneve globale dhe me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, ku raportohet për operacione të përbashkëta SHBA–Izrael dhe për vrasjen e figurave të larta iraniane, përfshirë Ali Khamenei, çka sipas ekspertëve ka ndikuar drejtpërdrejt në strategjinë e Phenianit.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Andrei Lankov thotë se Koreja e Veriut po reagon ndaj asaj që e sheh si kërcënim ekzistencial, duke e rritur nivelin e parandalimit në maksimum.
Paralelisht me ndryshimet kushtetuese, Pheniani ka njoftuar edhe vendosjen e artilerisë së re pranë kufirit me Koreja e Jugut, duke rritur më tej tensionet në gadishull.
Situata vjen në një moment kur marrëdhëniet mes dy Koreve mbeten në pikën më të ulët prej dekadash, pa shenja për ulje tensionesh në horizont.

Top Channel