Ndrenika puthi në ballë Veliajn në sallën e gjyqit, debate në ‘Top Story’/ Avokati Ndreca: Nuk e dinte që po filmohej. Iljazaj: Ishte mbështetje politike. Curri: Akt heroik

11/05/2026 22:50

Deklarata e aktorit Robert Ndrenika dhe mbështetja që ai i dha në gjyq kryebashkiakut Erion Veliaj ka ngjallur debate të forta në opinionin publik.

Kjo temë u shoqërua me debate edhe në studion e “Top Story”, mes avokatit të Veliajt, Plarent Ndreca, aktores Julia Ilirjani, dhe analistëve Arian Curri dhe Ervis Iljazaj.

Pjesë nga debati: 

Ndreca: E para, Ndrenika as nuk e ka imagjinuar që ishte dikush duke filmuar. Ishte një gazetar që e bëri fshehtas. Unë isha prezent, jam me profesion.

Ilirjani: Jashtë derës së gjyqit janë gjithmonë kamerat dhe gazetarët. Ndrenika e ka ditur që prania e tij në gjyq do të diskutohej në media.

Ndreca: Nga e di ti këtë? Unë kam bërë kërkesë me shkrim që aty të mos kishte kamera, sepse nuk lejohen. Madje ka edhe debat pse nuk lejoheshin kamerat në gjyq. Edhe në këtë gjyq nuk lejoheshin. Unë u surprizova kur u vendosën kamerat aty. Si dëshmitar aty, as Ndrenika dhe as Veliaj nuk e kanë ditur që aty kishte kamera dhe filmime. Dhe atyre aty u thanë të fiknin telefonat. Mediat i kërkuan atij një prononcim pas gjyqit.

Ilirjani: Edhe mund të mos e jepte.

Ndreca: Kush jeni ju që e gjykoni atë se çfarë bën?

Iljazaj: Ishte mbështetje politike. Kur ti jep një qëndrim, është politik.

Ndreca: Atij ia kërkuan. Kishte interes. Ia kërkuan dhe dha prononcim. Ishte shumë korrekt. Nuk dha mbështetje.

Iliazaj: Po i dha mbështetje.

Curri: Tani do të bëj disa spekulime, po e them vetë. Për mua ai ka bërë aktin më heroik dhe dinjitoz të jetës së tij. Ai s’e ka çarë kokën fare të na marrë neve mendim. I ka dhënë mbështetje edhe njerëzore, edhe politike. Procesi gjyqësor është totalisht proces njerëzor. Unë do ta pyes vetë atë. Ai është i vetmuar si njeri, rri si monument. Në fakt, do që ta mbash në krah dhe ta çosh në shtëpi, sepse nuk ikën dot vetë.

Kur Ndrenika del dhe bën dinjitarin, Veliaj mund ta ketë mbështetur diku, por nuk ka rëndësi. Ai e dinte që do ta kryqëzonte opinioni publik. Unë kam bërë një mëkat me të. E përgjoj ndonjëherë kur flet, se ngre edhe zërin, sepse është i moshuar. Ai nuk është ruajtur.

Top Channel