Një viktimë nga zjarret në vend! Banorët në Lunxhëri evakuohen duke lënë gjithçka pas/ Helikopteri vijon hedhjen e ujit nga ajri

03/08/2021 22:00

Banorët po përballen me tmerrin e flakëve në Lunxhëri të Gjirokastrës, ndërsa është gjetur i djegur një burrë 64 vjeç.

Ai së bashku me bashkëshorten, e cila është dërguar në spital në gjendje të rëndë, po përpiqeshin të shuanin flakët në shtëpi.

Fshatrat Asim Zeneli, Arshi Lengo dhe Krina në Njësinë Administrative Lunxhëri – Antigone po përballen me flakët.

Forcat e ushtrisë dhe banorët po përdorin çdo mjet të mundshëm për t’i shuar, ndërsa një helikopter është parë në qiell duke hedhur ujë, ndërsa pritet që situata të normalizohet.

Pamje nga flakët në Lunxhëri të Gjirokastrës

Në vendngjarje po punojnë strukturat e mbrojtjes civile dhe Forcat e Armatosura, të cilët kanë bashkëpunuar me banorët me mjete rrethanore si kova uji.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bën thirrje për bashkëpunim mes banorëve në zonat e prekura nga flakët.

“U bëjmë thirrje banoreve të jenë bashkëpunues me strukturat shtetërore për të zbatuar urdhrin e evakuimit”, tha ministri.

Pamje gjatë evakuimit të banorëve në Lunxhëri

Zjarret prej 10 ditësh vijojnë edhe në zonën e Vlorës, ku në Karaburun po përparojnë me shpejtësi drejt Llogorasë dhe zonave të banuara në Dukat.

Banorët e kanë të pamundur të mbrohen të vetëm nga flakët, duke qëndruar gjitha natën në roje, ndërkohë që era e fortë po e shtyn zjarrin më në jug drejt pyjeve me pisha në Llogora.

Nëse zjarri mbërrin atje, dëmi do të jetë i jashtëzakonshëm por edhe rruga nacionale bëhet e pakalueshme. Në ditën e tetë të katastrofës natyrore në Karaburun, ushtria ka ndihmuar me 500 forca emergjencat. Ushtarët janë të pajisur vetëm me nga një lopatë, por ndërhyrja e tyre është e rrezikshme sepse flakët ecin më shpejt se njerëzit.

Ndërkohë helikopteri që u përdor për të shuar flakët një ditë më parë, sot nuk është shfaqur ndërsa situata është shumë më e rëndë. Në ditën e tetë të shpërthimit të flakëve në zonë ka shkuar edhe shefi i emergjencave civile, Haki Çako.

Kontrolli i lartë i shtetit u pengua që të bënte kontroll pranë emergjencave me arsyetimin se drejtuesi ishte me pushime. Çako u pyet sot edhe për këtë konflikt. Ndërkohë zjarre në pyje ka edhe në Cukal të Vaut të Dejës.

Sipas njoftimit të fundit të ministrisë, zjarri vijon të jetë aktiv në Orikum të Vlorës; Livadh të Himarës; fshatrat Krinë, Asim Zeneli dhe Arshi Lengo në Gjirokastër;  në fshatin Cukal të Vaut të Dejës, kodrat e fshatit Qesorat; Shetaj të Durrësit; fshatin Domën në Kavajë dhe fshatin Zogas, Skrapar.

FOTO GALERI
3/18

Top Channel