Laçi bën historinë, kualifikohet dhe gjen Anderlechtin në turin tjetër

29/07/2021 22:52

Kualifikim historik në Kraiovë. Laçi ia del të ruajë të paprekur portën në transfertën rumune ndaj Universitateas së Kraiovës dhe të sigurojë kalimin në turin e tretë të Conference League, aty ku shorti i ka dhuruar një përballje luksi me gjigantët belgë të Anderlechtit.

Skuadra e drejtuar nga Shpëtim Duro udhëtoi drejt Rumanisë me qetësinë e suksesit 1-0 një javë më parë në “Elbasan Arena” dhe u rreshtua mjaft mirë në fushë, duke zbritur shpesh në kundërsulme të rrezikshme.

Ruganovic, Malota, Guindou dhe Mazrekaj shfaqen kërcënueshëm në portën e Universitateas, por pa arritur të shënojnë, ndërsa vendasit patën vetëm nëj mundësi në pjesën e parë me sulmuesin Koljic, por Sherri bëri heroin, duke ndalur tentativën e tij.

Ashtu siç pritej, rumunët u shfaqën shumë më agresivë në pjesën e dytë, por mbrojtja e mirë e kurbinasve dhe forma e shkëlqyer e portierit shkodran Alen Sherri, bënë që bardhezinjtë të ruajnë portën të paprekur dhe të sigurojnë kalimin në turin e tretë.

Kjo është një arritje historike për Laçin, që kalon për herë të parë në turin e tretë, pasi eliminoi fillimisht malazezët e Podgoricës dhe tashmë rumunët e Universitateas, me këta të fundit që ishin ndjeshëm favoritë për të avancuar më tej./SuperSport/

Top Channel