Një 18-vjeçar do të bëhet personi më i ri në botë që fluturon në hapësirë. Oliver Daemen do t’i bashkohet miliarderit amerikan, Jeff Bezos, në fluturimin e parë të njerëzve të realizuar nga kompania e tij e hapësirës, Blue Origin.
Daemen do të fluturojë në vend të një ofertuesi anonim, i cili pagoi 28 milionë dollarë për ulësen në një ankand publik.
Fituesi i ankandit nuk mund të fluturojë në mision “për shkak të konflikteve të planifikimit”, tha kompania Blue Origin.
Oliver është djali i Joes Daemen, shefit ekzekutiv të kompanisë së investimeve Somerset Capital Partners, me seli në Holandë.
Joes Daemen ka siguruar një ulëse në fluturimin e dytë, por është zhvendosur në të parin pasi ofertuesi është tërhequr, tha Blue Origin.
Ai pastaj ia ka ofruar ulësen djalit të tij 18-vjeçar, i cili është student i fizikës.
Origin Blu nuk tha se sa ka paguar Daeman për biletën.
Oliver Daemen do t’i bashkohet Bezos, vëllait të tij, Mark, dhe pilotes Wally Funk, 82 vjeçe.
Funk do të jetë personi më i vjetër që fluturon në hapësirë.
Fluturimi do të realizohet më 20 korrik.
Jeff Bezos, shefi i Amazonit – kompanisë së shitjeve online – është një nga njerëzit më të pasur në botë.
Sipas revistës amerikane Forbes, pasuria e tij neto kap vlerën e 186.2 miliardë dollarëve./REL
Top Channel