Pandemia goditi turizmin/ Parashikohen 4 trilionë dollarë humbje në këtë sektor

01/07/2021 08:37

Humbjet ekonomike janë duke u rritur në shtetet në zhvillim, për shkak të mungesës së vaksinave kundër Covid 19.

Dëmet në turizmin ndërkombëtar, për shkak të pandemisë, mund të shkaktojnë humbje të më shumë se 4 trilionë dollarëve në bruto-produktin e brendshëm, në nivel global për vitet 2020 dhe 2021, është thënë në një raport të publikuar më 30 qershor nga Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim.

Humbjet vlerësohet se janë rezultat i efektit direkt që ka pasur pandemia në turizëm dhe në sektorët e lidhur me të.
Raporti, i prezantuar bashkë me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Turizëm Botëror, ka treguar se turizmi ndërkombëtar dhe sektorët e lidhur ngushtë me të, janë përballur me humbje prej 2.4 trilionë dollarësh më 2020, për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë dhe atij jo të drejtpërdrejtë, në uljen e numrit të udhëtimeve të turistëve.

Humbje të ngjashme mund të raportohen edhe këtë vit, paralajmëron raporti, duke theksuar se rimëkëmbja e sektorit të turizmit do të varet nga shkalla e vaksinimit kundër koronavirusit, në nivel botëror.
Botës i duhen përpjekje globale për vaksinim, që të mbrojnë punëtorët, të lehtësojnë ndikimet e ashpra shoqërore dhe të ndikojnë në marrjen e vendimeve sa i përket turizmit”, ka thënë ushtruesja e detyrës së Sekretares së Përgjithshme të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim, Isabelle Durant.

Shtetet në zhvillim, të dëmtuara nga pabarazia me vaksina

Teksa shkalla e vaksinimit vazhdon të rritet, më shumë në një vend, krahasuar me një tjetër, raporti thotë se humbjet nga turizmi janë kufizuar në shumicën e vendeve të zhvilluara, mirëpo janë përkeqësuar në vendet në zhvillim.

Shkalla e vaksinimit dallon nga 1 për qind në disa vende, në mbi 60 për qind në disa tjera.
Sipas raportit, shpërndarja asimetrike e vaksinave flet për shokun ekonomik që ka përjetuar turizmi në vendet në zhvillim, pasi ato kanë pësuar 60 për qind të humbjeve të bruto-prodhimit të brendshëm, në nivel botëror.

Sektori i turizmit pritet të rimëkëmbet shpejt në shtetet me shkallë të lartë të vaksinimit në vendet si: Franca, Gjermania, Zvicra, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, është thënë në raport.
Sipas raportit, ulja e turizmit shkakton 5.5 për qind rritje të shkallës së papunësisë për punëtorët e pakualifikuar.

Humbje më të mëdha seç pritej

Në korrik të vitit të kaluar, Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregti dhe Zhvillim, ka vlerësuar se një bllokadë, katër deri në 12 muaj, në turizmin ndërkombëtar, do t’i kushtonte ekonomisë globale 1.2 trilion deri ne 3.3 trilionë dollarë humbje, përfshirë shpenzimet indirekte.
Mirëpo humbjet janë më të mëdha sesa është pritur, përfshirë edhe skenarin më të keq të hartuar nga organizata e OKB-së, vitin e kaluar, pasi turizmi ndërkombëtar është ende në nivele të ulëta, edhe 15 muaj pas nisjes së pandemisë.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Turizëm Botëror, shifra e turistëve ndërkombëtarë ka rënë për 1 miliard, apo 73 për qind në periudhën janar-dhjetor 2020.
Në çerekun e parë të vitit 2021, Barometri për Turizëm Botëror, i kësaj Organizate, ka raportuar për rënie prej 88 për qind të turizmit.
Rajonet më të prekura janë Azia Verilindore, Azia Juglindore, Oqeania, Afrika Veriore dhe Azia Jugore, derisa më pak të prekura janë Amerika Veriore, Evropa Perëndimore dhe Karaibet./ Radio Evropa e Lirë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA