Dy punonjës të OSHEE-së në Shijak janë arrestuar pasi nuk kanë konstatuar vjedhjen e energjisë, që përdorej për kultivimin e drogës në një shtëpi. Policia njofton se një banesë ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike dhe autorët janë shpallur në kërkim.
Të arrestuarit për veprën penale “Shpërdorim detyre” janë shtetasit E. S., 39 vjeç dhe Xh. I., 25 vjeç, banues në Shetel dhe Romanat, me detyrë faturist dhe elektricist pranë OSHEE-së.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak, bënë shpalljen në kërkim për veprat penale “Kultivim të bimëve narlotike”, “Shpërdorim detyre” dhe “Vjedhje të energjisë elektrike”, të shtetasëve:
VG., 32 vjeç, A. D. (G)., 27 vjeç, të dy banues në Hardhishtë, Shijak.
Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi I. G., 40 vjeç, banues në Hardhishtë, Shijak, me detyrë elektricist pranë OSHEE-së, pasi dyshohet se është bashkautor në kultivimin e bimëve narkotike”, njofton policia.
Shpallja në kërkim e këtyre shtetasve u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në banesën e shtetasit A.D.(G)., në fshatin Hardhishtë, dyshohet se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përshtatur banesën me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike, dhe kanë ndërhyrë në matësin e energjisë elektrike.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan bimë të lëndës narkotike canabis sativa dhe pasjeve që shërbenin për kultivimin e tyre.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Top Channel