Kompania farmaceutike gjermane CureVac, ka shënuar kthim të madh mbrapa në zhvillimin e vaksinës së saj kundër koronavirusit, ndërkohë që varianti Delta i këtij virusi vazhdon të rrisë shqetësimet në Angli dhe shtetet tjera, pavarësisht shkallës relativisht të lartë të vaksinimit.
CureVac ka njoftuar më 16 qershor se vaksina e saj potenciale është 47 për qind efikase kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.
CureVac është konsideruar kandidate kyçe në garën ndërkombëtare për miratim të vaksinave kundër koronavirusit, dhe rezultatet zhgënjyese kanë rritur dyshimet për furnizim me miliona vaksina për Bashkimin Evropian dhe vendet tjera, që kanë mbetur mbrapa në procesin e imunizimit.
Shefi ekzekutiv i kompanisë CureVac, Franz-Werner Haas, ka thënë se ka shpresuar për rezultate më të mira, ndonëse testimet do të vazhdojnë dhe shkalla e efikasitetit mund të ndryshojë ende.
Në studim kanë marrë pjesë 40,000 vullnetarë nga Evropa dhe Amerika Latine.
Kompania ka thënë se rezultatet sugjerojnë që vaksina është efektive te pjesëmarrësit e rinj, mirëpo ajo nuk është treguar shumë efikase për moshat mbi 60 vjeç.
Vaksinat tjera më të shtrenjta sikurse ato të zhvilluara nga kompanitë Pfizer/BioNTech dhe Moderna, janë rreth 90 për qind efikase në lufim të koronavirusit./REL
Top Channel