Gjermania tërhoqi një togë nga misioni i NATO-s në Lituani, pas raporteve se trupat janë përfshirë në sjellje raciste dhe antisemitike, si dhe në disa sulme seksuale. Akuzat u publikuan për herë të parë të hënën nga gazeta gjermane Der Spiegel.
Duke njoftuar për vendimin në Twitter, ministrja gjermane e Mbrojtjes, Annegret Kramp-Karrenbauer, tha se sjellja e pahijshme “do të ndëshkohet me ashpërsi”. Katër ushtarë gjermanë u tërhoqën fillimisht, si pjesë e hetimeve. Trupat ishin në Lituani në kuadër të një misioni të NATO-s, që stërvit ushtarët lokalë kundër agresionit potencial rus në disa vende të Evropës lindore.
“Sjellja e pahijshme e disa ushtarëve në Lituani është goditje në fytyrë për të gjithë ata që punojnë në Bundeswehr [ushtrinë gjermane], për t’i shërbyer sigurisë së vendit tonë”, tha Kramp-Karrenbauer. Ajo shtoi se hetimet do të zhvillohen në Gjermani. Një ditë më herët, Kramp-Karrenbauer tha se secili ushtar që ka ditur për incidentet, por nuk i ka raportuar, do të përballet gjithashtu me dënim.
Sipas gazetës Der Spiegel, akuzat lidhen me një aheng të mbajtur në një hotel në Lituani, në fund të prillit. Disa ushtarë dyshohen për ngacmim, kërcënim me dhunë, filmimin e një incidenti të sulmit seksual kundër një ushtari tjetër, si dhe këndimin e këngëve antisemite. Më vonë kanë dalë akuza edhe për abuzime seksuale dhe racore brenda togës./REL
Top Channel