Roberto Mancini dhe Xherdan Shaqiri do të takohen sërish nesër në “Olimpic” me rastin e ndeshjes Itali-Zvicër, pasi më herët kanë bashkëpunuar 6 muaj te skuadra e Interit, nga janari deri në qershor të 2015-ës.
Ishte pikërisht trajneri aktual i Italisë që kërkoi me ngulm futbollistin nga Gjilani te zikaltrit, por në verë Mancini pati mosmarrëveshje me drejtuesit e klubit dhe vendosi të japë dorëheqjen vetëm pak ditë para startit të kampionatit. Megjithatë Shaqiri gëzon një konsideratë të jashtëzakonshme për trajnerin dhe pranon se është shumë i kënaqur që do ta takojë sërish nesër, këtë herë me synimin për t’i bërë keq dhe për t’i ndalur vrullin Italisë që ai drejton.
“Mezi pres të luajmë kundër Italisë dhe të takoj Roberto Mancinin, pasi është një njeri dhe trajner i jashtëzakonshëm. Italia e tij është shumë e fortë, pasi e kemi ndjekur edhe më herët dhe jam shumë i kënaqur që po bën mirë. Nuk kanë më yje në ekip, por kanë një skuadër të jashtëzakonshme, që vrapon dhe sakrifikon shumë për të marrë rezultatin”, u shpreh Shaqiri.
Zvicra e nisi Europianin me një hap fals ndaj Uellsit, pasi shpërdoroi shumë mundësi dhe mori vetëm një pikë falë barazimit 1-1, megjithatë Shaqiri kërkon që të shihet përpara dhe të synohen tre pikët që në ndeshjen ndaj axurrëve.
“Gjithsecili ka opinionin e tij, por unë mendoj se ndaj Uellsit bëmë mirë dhe krijuam shumë mundësi shënimi. Natyrisht që ka vend për përmirësim, qoftë edhe në aspektin e finalizimit, por tani është koha të shohim përpara dhe të kërkojmë pikë që në ndeshjen ndaj Italisë”, u shpreh fantazisti nga Gjilani.
Top Channel