Tuchel publikon listën e re të Anglisë pas zhgënjimit në Botëror, rikthehen Palmer dhe Alexander-Arnold, surpriza me talentin 18-vjeçar të Liverpoolit
Zinedine Zidane ka nisur zyrtarisht aventurën e tij si trajner i Francës, duke sjellë që në ditët e para një ndryshim të dukshëm në mënyrën e komunikimit me mediat.
Në selinë e Federatës Franceze të Futbollit, trajneri i ri ka prezantuar rregullat që do të shoqërojnë grumbullimet e Kombëtares, duke vendosur kufizime të reja krahasuar me periudhën 14-vjeçare të Didier Deschamps.
Për grumbullimin e parë dhe ndeshjen ndaj Belgjikës më 5 tetor në Stade de France, Zidane ka vendosur që kamerat televizive të mos jenë të pranishme në sallën e konferencave për shtyp.
Ngjarja dhe konferenca pasuese do të transmetohen ekskluzivisht përmes kanaleve zyrtare të Federatës Franceze të Futbollit.
Ndryshimet nuk ndalen vetëm te konferencat për shtyp.
Federata ka vendosur të heqë edhe skenën tradicionale të pritjes së lojtarëve në hyrje të qendrës stërvitore në Clairefontaine, ku në të kaluarën gazetarët dhe kamerat prisnin futbollistët dhe shpesh diskutonin edhe për veshjet e tyre.
Në vend të kësaj, FFF do të ketë një rol më të drejtpërdrejtë në prodhimin dhe shpërndarjen e përmbajtjeve video, me synimin për të kontrolluar më nga afër materialet që publikohen nga grumbullimet e Kombëtares.
Megjithatë, gazetarët do të kenë mundësi të kontaktojnë me lojtarët në zonat e përziera gjatë ditëve të para të grumbullimit.
Një tjetër vendim i rëndësishëm lidhet drejtpërdrejt me vetë trajnerin.
Sipas AS, Zidane nuk do të japë asnjë intervistë gjatë gjithë kësaj periudhe ndërkombëtare, duke vijuar me qëndrimin e tij tradicionalisht të rezervuar ndaj medias.
Kështu, nisja e epokës së Zidane te Franca shoqërohet jo vetëm me pritshmëri të mëdha sportive, por edhe me një qasje të re në marrëdhënien mes Kombëtares dhe medias.
Top Channel