Fatbardh Kadilli ka votuar ditën e sotme në selinë blu, ndërsa është në garë për postin e kreut të PD-së.
Kadilli u ka bërë thirrje demokratëve për pjesëmarrje në votim, ndërsa thekson se gara është e pabarabartë.
“ Ringritja fillon sot kur çdo anëtar merr përsipër përgjegjësitë e veta. Është një garë që u mbyll siç u nis e pabarabartë por jam i lumtur që ndeza shkëndijën e parë të saj. Ndeza kurajon. Manifesti për ta bërë partinë të pastër të hapur të bashkuar do vazhdojë. PD-së iu rikthye kurajë dhe guximi, kjo parti do të jetë e pastër, e hapur, e bashkuar dhe fituese. Është hera e parë që një forcë politike shtrëngohet në pak kohë që të reflektojë shumë”, tha ai.
Kujtojmë se ai është në garë për postin e kreut të Partisë Demokratike bashkë me Lulzim Bashën, Edit Harxhin dhe Agron Shehajn.
Rreth 75 mijë anëtarë të Partisë Demokratike priten ti drejtohen ditën e sotme qendrave të votimit, në 76 qendra në të gjithë Shqipërinë, ku do të votojnë për kryetarin e ri të kësaj force politike mes katër kandidatëve.
Votimi ka nisur që në orën 08:00 dhe pritet të zgjasë deri në orën 19:00 në të gjithë vendin.
Top Channel