Organizata Botërore e Shëndetësisë ka miratuar për përdorim emergjent vaksinën kundër covid të kompanisë Sinovac, CoronaVac.
Lajmin e mirë e ka dhënë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila përmes një shënimi në facebook shton se OBSH garanton se vaksina plotëson standardet ndërkombëtare të sigurisë, efikasitetit dhe prodhimit.
“OBSH miraton përdorimin emergjent të vaksinës së kompanisë Sinovac, CoronaVac Covid-19, duke garantuar që plotëson standardet ndërkombëtare të sigurisë, efikasitetit dhe prodhimit”, njofton Manastirliu.
Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve shqiptarë kanë bërë vaksinën CoronaVac. Në 24 orët e fundit janë kryer 4,257 vaksinime dhe prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 776,461 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 290,333 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-COVID.
Procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh në të gjithë vendin.
Tashmë që OBSH miratoi vaksinat rregulli e kërkon që ajo të përfshihet në pasaportën e gjelbërt dhe të gjithë qytetarët që kanë marrë dozat e saj të lëvizin të lirë.
Top Channel