Koeman: Presidenti më ka mbështetur, te Barça edhe sezonin tjetër

10/05/2021 15:47

Ronald Koeman ka konfirmuar se do të vijojë të qëndrojë te Barcelona edhe sezonin e ardhshëm.

Tekniku holandez u ul në pankinën e katalanëve kur president ishte Josep Bartomeu, por tani që drejtimin e ka marrë Joan Laporta, ka pasur shpesh zëra që vinin në dyshim të ardhmen e tij.

Megjithatë duke folur në konferencën për shtyp në prag të transfertës valenciane ndaj Levantes, Koeman deklaroi se ka marrë mbështetjen e Laportës që në ditën e parë dhe se do të jetë në “Camp Nou” edhe sezonin e ardhshëm, ashtu siç e parashikon kontrata.

“Presidenti më ka dhënë mbështetje që ditën e parë që u zgjodh dhe nuk ka arsye për t’u shqetësuar, pasi kam kontratë edhe për sezonin e ardhshëm me Barcelonën. Për momentin jemi të përqendruar të mbyllim sa më mirë këtë sezon, pastaj do të ulemi të bisedojmë edhe për rinovimin, por mund t’ju them se do jem në “Camp Nou” edhe sezonin e ardhshëm”, deklaroi Koeman.

Barazimi pa gola ndaj Atleticos së Madridit në fundjavë ka zbehur ndjeshëm shpresat e Barcelonës për titullin kampion, megjithatë Koeman mbetet optimist dhe kërkon që të tijtë të bëjnë më të mirën në tre javët e mbetura.

“Sigurisht që pas kësaj jave, nuk janë më gjërat në dorën tonë, por dua që të japim maksimumin në tre ndeshjet që kanë mbetur. Nëse ia dalim të marrim 9 pikët maksimale, atëherë mund të shpresojmë në ndonjë hap fals të kundërshtarëve”, tha holandezi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA