Teuta “ngec” ndaj Bylisit, Tirana rikthehet në garë për titull

07/03/2021 15:42

Vetëm pak ditë pas fitores minimale 1-0 ndaj Vllaznisë, Teuta humb një mundësi të mirë për t’u ngjitur e vetme në kreun e renditjes, pasi nuk shkoi përtej një barazimi 1-1 në transfertën ndaj Bylisit.

Sfida nisi më mirë për Teutën, që zbriti disa herë me bregun në krah, por krosimet e vlonjatit në zonë u larguan nga mbrojtja ballshiote, që nuk u dha mundësi sulmuesve durrsakë të kërcënojnë e mbrojtur nga Pano Qirko.

Nuk mungoi as tensioni në fushë mes Ndrecës e Emiliano Vilës, ndërsa më pas u përfshi edhe mbrojtësi Janku, por ndërhyrja e arbitrit dhe futbollistëve të të dy skuadrave, bëri që gjithçka të shuhej shpejt dhe të vijonte normalisht loja.

Në minutën e 28’ erdhi edhe zhbllokimi i ndeshjes, me Teutën që shënoi golin e avantazhit me Bregun. Pas ekzekutimit të një këndoreje, arbitri akordoi penallti për durrsakët për një kontakt të lehtë mes Nebiut dhe Arapit në zonë, ndërsa sulmuesi vlonjat Bregu u tregua gjakftohtë nga pika e 11-metërshit dhe dërgoi topin në rrjetë.

Ballshiotët reaguan mirë dhe në një kundërsulm të shpejtë, Mehmetllari gjeti saktë Anthony Beji në zonë, aty ku ky i fundit gjuajti saktë dhe mposhti portierin Stivi Frashëri, duke rikthyer baraspeshën.

Protestojnë ndërkohë lojtarët e Teutës, pasi në rastin e aksionit të golit të vendasve, mesfushori Aleksi mbeti i shtrirë për një përplasje me arbitrin Bastari, megjithatë goli vlen dhe skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes me rezultatin e barabartë 1-1.

Pjesa e dytë nisi me një ritëm të ulët, teksa në minutën e 58’ Teuta i shkoi shumë pranë golit të avantazhit, por Plaku shpërdoroi në zonë. Një krosim i ardhur nga një goditje dënimi, përfundoi në këmbët e sulmuesit veteran, që u koordinua keq dhe dërgoi topin jashtë.

Minuta të mira për Teutën, që fiton një goditje dënimi mbi vijën e zonës me Dejvi Bregun dhe goditjen e mori përsipër vetë vlonjati, që ka shënuar shpesh nga këto pozicione, por këtë herë dërgoi sferën mbi kuadrat.

Durrsakët vijojnë të shtojnë presionin dhe i shkojnë sërish pranë golit të barazimit. Pas një krosimi nga këndi, topi nuk u grushtua mirë nga portieri Qirko dhe u gjuajt në portë nga durrsakët, por kur ishte mbi vijën fatale, u largua nga mbrojtësi Andi Hadroj, që shmangu kështu golin e miqve.

Një tjetër mundësi e mirë për durrsakët, këtë herë në minutat shtesë, kur sulmuesi Silvio Zogaj u lirua mirë në zonë dhe gjuajti menjëherë, por topi u përplas në shtyllë. Shansin e fundit Teuta e pati në minutën e fundit shtesë me një goditje dënimi nga krahu, por mbrojtja vendase largoi dhe më pas ishte arbitri që vërshëlleu fundin e takimit.

Përfundoi kështu gjithçka në barazim 1-1, një rezultat që i shkon mjaft përshtat Bylisit, që vijon t’i largohet fundit dhe të konsolidojë pozitat në zonën Play Out, ndërsa Teuta humb mundësinë për t’u ngjitur e vetme në krye të renditjes, pozicion që të paktën përkohësisht e ndan me Vllazninë.

Tirana gjen vazhdimësinë, pasi triumfoi në një transfertë të vështirë si ajo ndaj Kastriotit me rezultatin 1-2, duke regjistruar suksesin e tretë radhazi dhe duke u ngjitur në kuotën e 35 pikëve, përkohësisht vetëm 6 pikë larg kreut.

Pavarësisht mungesave ekipi i drejtuar nga trajneri Ramazan Ndreu e nisi takimin menjëherë në sulm. Në stadiumin e Kamzës ishte Rei Nuriu që tentoi portën që në start, megjithatë Erjon Hoxhallari bllokoi topin me një ndërhyrje të shpejtë, duke evituar në këtë mënyrë një moment shumë të vështirë.

Në krahun tjetër edhe trajneri Orges Shehi preferoi t’i ruajë në stol për shkak të problemeve fizike, dy futbollistë shumë të rëndësishëm si Idriz Batha dhe Filip Najdovski, megjithatë kundërpërgjigjia e bardhebluve nuk vonoi. Ardit Toli harkoi nga krahu i djathtë, por Taulant Seferi i prishi punë finlandezit Vayrynen, që gjithsesi u bllokua në çastin e fundit nga ndërhyrja decizive e Zhivanajt.

Ekipi i Kastriotit pati iniciativën në çerek orëshin e parë të ndeshjes, ndërsa skuadra kryeqytetase provoi më së shumti me kundërzbritje të shpejta. Kështu vendasit nuk përfituan dot nga rrëmuja e krijuar në zonën e Tiranës, por përsëri Rei Nuriu u blllokua në fund nga Hoxhallari dhe ekipi krutan nuk ia doli mbanë për të mposhtur mbrojtjen e ngjeshur të miqve.

Pa u mbushur as çerek ore lojë, Devid De Silva kërcënoi portën e bardhebluve, që këtë herë shpëtoi mirë falë një devijimi. Momenti që bëri diferencën u regjistrua vetëm pak minuta më vonë, në gjysmëfushën tjetër.

Seferi u mundua të kalojë Sokol Nezirin, që ngatërroi sport, duke ndërhyrë në bllok me të dyja duart. Në mënyrë të kuptueshme nuk kishte aspak vend për protesta dhe kryesori Indrit Myrtja bëri me shenjë për nga pika e bardhë. Taulant Seferi mori përsipër gjithçka vetë dhe 24-vjeçari nga Kumanova e shndërroi mirë në gol penalltinë e parë sezonale në dispozicion të kampionëve në fuqi, me një goditje të shpejtë në skajin e poshtëm të portës, duke mos i dhënë asnjë mundësi veteranit Isli Hidi.

Në gjysmën e dytë të pjesës së parë ekipi i Kastriotit shtoi përpjekjet për të barazuar shifrat dhe mundësitë për të ekuilibruar takimin nuk munguan. Kështu Xhulio Mehmeti gjuajti nga brenda zonës dhe Visar Bekaj nuk e priti mirë topin, por nga vetëm dy hapa larg portës braziliani Devid De Silva “goditi qiellin”. Pas diçka më shumë se gjysmë ore lojë, Ermir Rezi tentoi me një goditje nga jashtë zonës, por këtë herë gardiani i bardhebluve priti pa shumë probleme.

Krejt ndryshe nga ç’pritej, miqtë e filluan më mirë fraksionin e dytë të lojës dhe Ismajlgeci krosoi saktë në qendër të zonës për Taulant Seferin, që shpërdoroi në mënyrë të pafalshme, duke ngritur sferën mbi traversë. Pa u mbushur një orë lojë bardheblutë dyfishuan shifrat. Me Idi Bathën në stol shiritin në këtë takim për kampionët në fuqi e mbajti Erjon Hoxhallari dhe në fakt 25-vjeçari e zëvendësoi denjësisht kapitenin, duke shndërruar në mënyrë perfekte në gol goditjen e dënimit në favor të skuadrës së tij.

Ndeshja u duk e mbyllur, por ekipi krutan reagoi vetëm pak minuta më vonë. Armando Rami harkoi nga e majta dhe Devid De Silva shfrytëzoi më së miri gjithë shtat-lartësinë e tij, për të ngushtuar diferencën e golave dhe për të bërë më interesante minutat e mbetura.

Megjithatë Tirana ia doli të ruajë avantazhin dhe të marrë një tjetër fitore, që është e treta radhazi për bardheblutë, që tani shkojnë me moral të lartë në derbin ndaj Partizanit, i planifikuar për në fundjavën e ardhshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA