Kryeministri Edi Rama ndodhet ditën e sotme në Bari të Italisë me rastin e 30 vjetorit të eksodit i shqiptarëve drejt vendit fqinj.
Ai mbajti një konferencë me ministrin e Jashtëm italian Luigi Di Maio dhe kreun e Rajonit të Pulias, Michele Emiliano.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Rama u kërkoi autoriteteve italiane njohjen e patentave shqiptare në Itali.
“Nuk kam më për të shtuar, por meqë këtu janë tërë këta gazetarë dhe meqë prej javësh më kanë bombarduar me pyetje, shpresoj që ambasadori të më falë për këtë shkelje të protokollit, dua t’i shfrytëzoj këto sekonda për t’i kërkuar Luigit që të kujdeset për lejet e drejtimit të shqiptarëve në Itali, sepse kanë ngecur keq në korridoret mjaft të veçanta të burokracisë italiane. Ata duhen nxjerrë prej andej, që kështu të mund t’i drejtojnë automjetet në mënyrë të rregullt, sepse, ashtu si edhe napoletanët, ne shqiptarët jemi shumë të disponueshëm për t’i drejtuar automjetet edhe pa patentë. Këtë nuk mund ta lejojmë”, tha Rama.
Kurse Di Maio tha se Italia po bën gjithçka që Bashkimi Evropian të hapë negociatat me Shqipërinë brenda këtij viti.
Rama shoqërohet nga ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ministrja e Arsimit Evis Kushi dhe Fate Velaj, deputet, ndërsa do të jetë edhe zëvendës ministrja Teresa Bellanova dhe nënsekretarët Assuntela Messina, Anna Macina, Rosario Sasso, Ivan Scalfarotto dhe Francesco Paolo Sisto.
Sipas medias italiane që ka zbardhur agjendën e Ramës, ai do të qëndrojë edhe nesër në shtetin fqinj, ku rektorët e universiteteve do t’i dorëzojnë një kopje të manualit për “Rajonet e Sigurta” të përkthyer në shqip dhe të hartuar falë punës së 130 personaliteteve nga bota shkencore e katër universiteteve kulturore.
Kujtojmë se në fillim të marsit të vitit 1991 mijëra shqiptarë u larguan nga vendi, duke shfrytëzuar anijet e ankoruara në portin më të madh të Shqipërisë. Duke sjellë në vëmendje shifrat e asaj kohe, vetëm në javën e parë të marsit të 91-shit, në portin e Brindisit janë ankoruar 24 mjete lundruese të madhësive të ndryshme, me një numër të madh të qytetarëve nga Shqipëria.
Top Channel