“Projekt për përqendrim të pushtetit”/ Berisha për hartën e re territoriale: Protesta në disa rrethe, edhe këshilltarët e Ramës refuzojnë shkrirjen e bashkive
Nga paraburgimi, ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar për përplasjen mes GJKKO-së së Shkallës së Parë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë, duke e cilësuar situatën si një konflikt që po sjell shtyrjen dhe anulimin e dhjetëra seancave gjyqësore.
Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Meta ngre shqetësimin për zvarritjen e proceseve dhe pasojat që, sipas tij, kjo përplasje ka për të drejtën e mbrojtjes dhe besimin e qytetarëve te drejtësia.
“Konflikti absurd midis GJKKO Shkallë e Parë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë ka sjellë anulimin dhe shtyrjen e gjykimit për dhjetëra çështje vetëm pranë GJKKO të Shkallës së Parë.
Kjo situatë absurde e paralajmëruar që në fund të korrikut duhej të ishte parandaluar me kohë si përmes dialogut, por edhe ndërhyrjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor, Kuvendit të Shqipërisë dhe aktorëve të tjerë.
Përveç humbjeve të konsiderueshme financiare të shtetit dhe palëve të interesuara, ka sjellë edhe zvarritjen e proceseve gjyqësore, që është element i gjykimit të drejtë dhe të rregullt.
Vendosja e avokatëve në një presion të dyfishtë si nga GJKKO Shkallë e Parë edhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë, cenon jo vetëm të drejtat e tyre, por drejtpërdrejt të drejtat thelbësore të qytetarëve të përfshirë në proceset penale.
Roli i avokatëve në funksion të procesit të rregullt ligjor është i pazëvendësueshëm.
Edhe në diktaturë ka patur gjyqtarë dhe prokurorë, por demokracia dhe shteti i së drejtës, dallon ndër të tjera nga diktatura se siguron të drejtën e mbrojtjes me avokat.
Ky konflikt i stisur dhe arbitraritet i shërben vetëm lojërave politike dhe minon besimin publik te drejtësia dhe sistemi gjyqësor”, shkruan Meta.
Top Channel