“Vaksinohen 447 mjekë dhe infermierë”/ Manastirliu: Brenda javës informacion mbi vaksinat e aleancës Covax

18/01/2021 13:52

Në fillimin e javës së dytë të vaksinimit anticovid, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka ndjekur nga afër procesin në Air Albania Stadium, ku sot ka nisur vaksinimi i stafit mjekësor të pavionit covid të pediatrisë.

“Sot po vaksinohen 42 mjekë, infermierë të pavionit Covid të Pediatrisë dhe të spitaleve COVID. Përgjatë gjithë javës së shkuar, ku ne kemi filluar planin tonë të vaksinimit me vaksinimin e mjekëve, infermierëve dhe një pjese të epidemiologëve të Tiranës, Durrësit, Krujës dhe disa qyteteve përreth. Janë vaksinuar saktësisht 447 mjekë, infermierë, epidemiologë, të cilët janë në vijën e parë të ofrimit të shërbimit”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë theksoi se vaksinimi do të vijojë, duke u intensifikuar jo vetëm për personelin e spitaleve Covid, por edhe për linjën e parë të mjekëve në shërbimet e urgjencës dhe reanimacionit, si edhe vaksinimi i kombinuar me të moshuarit e Shtëpive të të Moshuarve. Manastirliu deklaroi nga Qendra e Vaksinimit në Stadiumin “Air Albania” se përveç kontratës me Pfizer, pritet këtë javë një përgjigje nga COVAX për kohën e lëvrimit të vaksinave të para.

“Do të vijojmë me administrimin e vaksinës sipas planeve tona, qoftë përsa i përket marrëveshjes me Pfizer dhe gjithashtu edhe marrëveshjes me Covax-in. Do të kemi një informacion më të detajuar për lëvrimin e dozave të Covax, shpresojmë brenda kësaj jave, për të vijuar pikërisht edhe me planin tonë të vaksinimit për kategoritë e riskuara, që janë mjekët dhe infermierët, gjithashtu me vaksinimin e të moshuarve në Shtëpitë e të Moshuarve si edhe me vaksinimin e kombinuar duke vijuar me të moshuarit mbi 75 vjeç”, tha Manastirliu.

Prof. Gjeorgjina Kuli dhe stafi i pavionit COVID në Pediatri u vaksinuan sot kundër COVID19, si edhe infermierë të spitaleve COVID. Ministrja e Shëndetësisë falenderoi personelin shëndetësor për punë e bërë dhe sakrificën në këto muaj, duke theksuar se do të vijohet me vaksinimin e tyre, për të qenë më të mbrojtur ndaj riskut të infektimit nga Covid19.

Shqipëria ka paguar 3.99 milionë dollarë si formë parapagimi për vaksinën anti-Covid19, tek aleanca COVAX për të vaksinuar 570 mijë persona ose rreth 20% të popullsisë.

Aleanca COVAX u krijua në prill nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe në të marrin pjesë 180 shtete, përfshi të gjitha anëtaret e BE-së. COVAX ka si qëllim të bashkojë kapacitetet financuese dhe prodhuese për të siguruar një sasi sa më të madhe vaksinash për t’i shpërndarë ato mes vendeve anëtare të aleancës.

Covax ka bërë marrëveshje me 9 prodhues vaksinash, përfshi Moderna dhe AstraZeneca, që tashmë kanë prodhuar një vaksinë. Paraprakisht, COVAX ka përllogaritur se kostoja e një doze vaksine do të jetë 10.55 dollarë.

FOTO GALERI
10/17

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA