Banorët e fshatit Gjorm të Kurbinit prej vitesh vuajnë me rrugën e keqe që përshkon fshatin e tyre. Rruga bëhet edhe më e keqe gjatë sezonit të dimrit ku prurjet e reshjeve janë edhe më të mëdha.

Gjatë këtij sezoni rruga bëhet e pakalueshme nga uji dhe balta që mbizotërojnë në gjithë gjatësinë e saj. Gropat e mëdha në mes të saj e rëndojnë edhe më keq gjendjen e rrugës.

Banorët pas shumë përpjekjesh dhe ankesash që kanë adresuar në Bashkinë Kurbin ende nuk kanë gjetur zgjidhje ndaj i janë drejtuar emisionit Fiks Fare.  Ata pohojnë se balta , gropat dhe pluhuri i rrugës ua kanë bërë jetesën të pamundur në këtë fshat. Sipas Tyre degradimi i rrugës në këtë gjendje ka ardhur si rrjedhojë e mos investimit në të prej kohësh, si dhe nga kalimi në këtë rrugë të mjeteve të tonazhit të rëndë që shumë pranë banesave të tyre kanë  pikën e furnizimit me krom.  Që prej tërmetit rruga është degraduar edhe më shumë dhe për kalimin e përditshëm të trajlerave askush nuk e vë ujin në zjarr për këta banorë.

“Fëmijët tanë dalin me çizme llastiku për në shkollë se ndryshe nuk kanë si të kalojnë në këtë rrugë” shprehet njëra prej banoreve.  Prej 6 muajsh i janë drejtuar me shkresë Bashkisë Kurbin  dhe nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Po ashtu banorët i janë drejtuar edhe kompanisë së kromit por këta të fundit i kanë injoruar dhe kanë vazhduar normalisht punën e tyre.

Fiksi bashkë me banorët duke parë gjendjen e mjerueshme të rrugës iu drejtuan Bashkisë Kurbin. Në zyrën e informacionit të kësaj bashkie gazetarja kërkon informacion se çfarë është bërë në lidhje me kërkesën e banorëve të Gjormit depozituar në bashki në dt 3/6/2020. Punonjësit  shprehen se banorët duhet ta ribëjnë kërkesën , kjo me urdhër të kryetares së bashkisë. Vetëm pas ribërjes së kërkesës informacioni pohon se do t’u kthehet përgjigje menjëherë, ndërsa me kërkesën e depozituar më para nga këta banorë nuk ka gjurmë në bashki. Të kushtëzuar për të zgjidhur problemin e tyre, përfaqësia e banorëve ribëjnë ankesën e tyre.  Në këtë kohë banorët përplasen edhe me shefin e urbanistikës së kësaj bashkie i cili mohon se banorët janë ankuar ndonjëherë.  I vënë përballë tyre drejtori Benard Palaj, pohon se rruga do të shtrohet me çakull pasi Bashkia Kurbin nuk ka fonde për ta asfaltuar. ” Ne do i dërgojmë fonde qeverisë, pasi vetë bashkia nuk ka fonde të mjaftueshme për ta asfaltuar rrugën. Ne ende po merremi me rastet emergjente të tërmetit pasi ende kemi familje që jetojnë në çadër”  shprehet drejtori i urbanistikës.

Palaj u zotua që brenda javës rruga do të shtrohej me çakull dhe i kërkoi gazetarëve të Fiksit të shkonin e ta shihnin se do ta mbante fjalën. Por banorët me këtë zgjidhje nuk janë të kënaqur, pasi çakulli mund të rezistojë pak kohë, pasi mjetet e tonazhit të rëndë do ta prishnin prapë.

FOTO GALERI
3/9

Top Channel