Papa Françesku bën thirrje për ndarjen e vaksinës COVID-19 me vendet e varfëra

25/12/2020 16:34

Vatikan, 25 dhjetor – Papa Françesku tha në mesazhin e tij të Krishtlindjes të premten se udhëheqësit politikë dhe të biznesit nuk duhet të lejojnë që forcat e tregut të marrin përparësi ndaj mundësisë për të patur vaksinat e Covid 19 për të gjithë, duke dënuar nacionalizmin dhe “virusin e individualizmit radikalë” siç u shpreh ai.

Papa Françesku e dha mesazhin e tij tradicional “Urbi et Orbi” virtualisht nga një podium brenda Vatikanit dhe jo nga ballkoni qendror i Bazilikës së Shën Pjetrit para dhjetëra mijëra njerëzve. Pandemia dhe efektet e saj sociale dhe ekonomike mbizotëruan mesazhin, gjatë të cilit Françesku bëri thirrje për unitet global dhe ndihmë për vendet që vuajnë nga konfliktet dhe krizat humanitare.

“Në këtë moment të historisë, të shoqëruar nga kriza ekologjike dhe një çekuilibër i rëndë ekonomik dhe social që është përkeqësuar nga pandemia e koronavirusit, është më e rëndësishme të njohim njëri-tjetrin si vëllezër dhe motra,” tha ai.

Duke theksuar se shëndeti është një çështje ndërkombëtare, Papa kritikoi të ashtuquajturin ‘nacionalizëm vaksinash’, që zyrtarët e OKB-së janë të shqetësuar se do ta përkeqësojë pandeminë nëse vendet e varfra e marrin të fundit vaksinën.

“U lutem të gjithëve, krerëve të shteteve, kompanive dhe organizatave ndërkombëtare të promovojnë bashkëpunimin dhe jo konkurrencën, për të gjetur një zgjidhje për të gjithë – vaksina për të gjithë – veçanërisht për më të pafuqishmit dhe më nevojtarët në të gjitha zonat e planetit,” tha ai.

“Më të prekshmit dhe nevojtarët duhet të jenë të parët,” tha ai, në Sallën e Benediktëve të Vatikanit, me vetëm rreth 50 punonjës të veshur me maska përgjatë mureve të larta.

“INDIVIDUALIZMI RADIKAL”

“Ne nuk mund ta vendosim veten përpara të tjerëve, duke vendosur forcat e tregut dhe ligjet e patentave përpara ligjeve të dashurisë dhe shëndetit të njerëzimit,” tha ai. “Ne nuk mund të lejojmë që nacionalizmat e mbyllur të na bllokojnë të jetojmë si familja e vërtetë njerëzore që jemi.”

Papa Françesku gjithashtu duket se kritikoi njerëzit që nuk kanë pranuar të mbajnë maska sepse kjo shkel lirinë e tyre, një qëndrim që është përhapur në vende të tilla si Shtetet e Bashkuara.

“Nuk mund të lejojmë që virusi i individualizmit radikal të triumfojë mbi ne dhe të na bëjë indiferentë ndaj vuajtjeve të vëllezërve dhe motrave tona,” tha ai.

Italianët janë nën një bllokim mbarëkombëtar për pjesën më të madhe të periudhës së festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Kufizimet bënë që njerëzit të mos ishin në gjendje të shkonin në Sheshin e Shën Pjetrit apo në bazilikë për ngjarjen.

Krishtlindja është mbi të gjitha një kohë për të ndihmuar të tjerët sepse vetë Jezusi lindi i varfër, tha Francis të enjten mbrëma në meshën e tij të pragut të Krishtlindjes, e cila filloi dy orë më herët në mënyrë që disa nga pjesëmarrësit të mund të shkonin në shtëpi para orës 22:00 kur fillon ndalim-qarkullimi.

“Le të na ndihmojë pra Fëmija i Betlehemit, të jemi bujar, mbështetës dhe ndihmues, veçanërisht ndaj atyre që janë të pafuqishëm, të sëmurë, të papunë apo që po kalojnë vështirësi për shkak të efekteve ekonomike të pandemisë dhe ndaj grave që kanë vuajtur dhunë në familje gjatë këtyre muajve të izolimit”, tha ai në fjalimin e tij të premten.

Ai më pas bëri thirrje për paqe dhe pajtim në Siri, Jemen, Libi, Nagorni-Karabak, Sudanin e Jugut, Nigeri Kamerun dhe Irak, të cilin Papa do ta vizitojë në fillim të marsit.

Ai gjithashtu kërkoi të ngushëllonte ata që vuanin nga kriza humanitare apo katastrofa natyrore në Burkina Fasso, Mali, Niger, Filipine dhe Vietnam./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA