Neymar do të kthehet në muajin janar. Dëmtimi i pësuar në takimin me Lionin duket se do të mbajë sulmuesin brazilian jashtë fushave të lojës më gjatë nga ç’ishte parashikuar. Të dielën e kaluar, pikërisht në 97′ të duelit me Olimpikun e Lionit, 28-vjeçari paulist pësoi një ndërhyrje vërtet shumë të rëndë në kavilje nga ana e bashkëkombësit të tij,Thiago Mendes. Kryesori Benoit Bastien, i ndihmuar edhe nga sinjalizimi i asistentëve të tij, ndëshkoi pas pamjeve të ofruara nga Sistemi VAR me kartonin e kuq mesfushorin 28-vjeçar, por në krahun tjetër “ylli” brazilian u pa duke rënkuar nga dhimbjet e forta dhe më pas u shtrëngua për të dalë me barrelë nga fusha e stadiumit “Parc des Princes”.

Sikur të mos mjaftonte disfata e parë në kampionat, e pësuar në kryeqytet pas plot 13 përballjeve me Lionin, kampionët në fuqi humbën gjithashtu edhe një nga dy lojtarët kryesorë të ekipit. Thomas Tuchel deklaroi në fillim të javës se Neymar kishte disa mundësi të vogla për t’u aktivizuar në sfidën me Lilën, klubin që kryesonte në Le Championnat pas 15 javëe të para, megjithatë gjërat me sa duket morën një rrjedhë krejt tjetër dhe tani trajneri gjerman do të duhet të mendojë për t’i zgjidhur ndeshjet pa sulmuesin e mirënjohur brazilian.

Paris SG është duke dominuar futbollin francez në dekadën e fundit, sidoqoftë ky sezon paraqitet vërtet shumë i vështirë për kampionët në fuqi, që në Ligue 1 janë duke vuajtur gjithashtu edhe rivalitetin e Lilës, Marsejës dhe Lionit, me këto katër skuadra që pozicionohen shumë pranë njëra – tjetrës dhe ndahen nga fare pak pikë.

Neymar që në këtë sezon të ri ka kontribuar me 9 gola në 12 ndeshje në të gjithë kompeticionet ka patur një përkeqësim të situatës në pjesën e kaviljes, që tani është e fryrë dhe e mavijosur. Krerët e klubit kanë shtuar se Neymar i është nënshtruar kontrolleve të ndryshme dhe është nën vëzhgimin e mjekëve. Drejtuesit e klubit parizien janë të sigurtë se Neymar do të jetë i gatshëm për sfidën me Barcelonën në Champions League, megjithatë ata janë po kaq të sigurtë që sulmuesi brazilian do të rikthehet në fushën e lojës që në muajin janar.

Ndonëse humbi dy nga tri sfidat e para me klube si Manchester United apo Leipzig përsëri klubi i njohur francez ia doli mbanë për t’u kualifikuar për në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë, për më tepër duke siguruar vendin e parë në grup.

Neymar u transferua nga Barcelona te Paris SG në fillimin e gushtit të vitit 2017, për shifrën rekord prej 222 milionë eurosh dhe 28-vjeçari ka ndihmuar klubin kryeqytetas për të fituar tre herë rresht kampionatin francez si dhe për të shkuar deri në finalen e sivjetshme të Championsit, ku Paris SG u mund minimalisht në Lisbonë nga ekipi i Bajernit të Mynihut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA