Zhegrova “çmendet” në fund, dopietë me Juventusin, por Sassuolo i prish festën
Futbollisti i Cagliarit, Daniel Maldini, ka rezultuar pozitiv në testin e alkoolit pas aksidentit automobilistik të ndodhur këtë mëngjes në Milano, ku ai ishte në drejtimin e një Porsche Carrera.
Sipas të dhënave të policisë lokale, Maldini iu nënshtrua dy testeve në vendngjarje. I pari regjistroi 0.91 mg/l, ndërsa i dyti 0.89 mg/l. Për këtë arsye, autoritetet i kanë revokuar lejen e drejtimit.
Vlera e regjistruar në testin e parë korrespondon me rreth 1.82 g/l alkool në gjak, nivel që sipas Kodit Rrugor italian, mbi 1.5 g/l, përfshihet në kategorinë më të rëndë të drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit dhe mund të sjellë pasoja të rënda ligjore.
Ndërkohë, policia dhe autoritetet shëndetësore janë në pritje të rezultateve të testeve për të përcaktuar nëse ka pasur edhe prani të lëndëve narkotike.
Sipas rindërtimit paraprak të policisë, Maldini po drejtonte një Porsche Carrera 4 dhe dyshohet se hyri në Via Caracciolo nga Via Tolentino pa i dhënë përparësi një automjeti Volkswagen Golf.
Porsche e futbollistit goditi pjesën e përparme të Golfit, i cili më pas u përplas me një Mercedes të parkuar në Via Caracciolo.
Në vendngjarje ndërhynë tre ambulanca dhe një ekip mjekësor. Maldini u dërgua në spitalin Fatebenefratelli për kontrolle, ndërsa personat e tjerë të përfshirë në aksident u transportuan në disa spitale të Milanos.
Pas kontrolleve mjekësore, futbollisti u largua nga spitali dhe u kthye në shtëpi.
“Daniel është mirë dhe nuk ka pësuar asnjë lëndim, e lëre më serioz”, deklaroi avokati i tij, Danilo Buongiorno, duke shtuar se Maldini u lirua menjëherë pas një kontrolli të shkurtër në urgjencë.
Top Channel