Punonjësit e kujdesit shëndetësor në Itali kanë gjetur një mënyrë origjinale për të siguruar pacientët e tyre të prekur nga koronavirusi.
Mjekët dhe infermierët, në njësinë e kujdesit intensiv në një spital në Prato, veshin veshje mbrojtëse me fytyrat e tyre të vendosura mbi to, në mënyrë që pacientët t’i njohin dhe të jenë më të qetë.
E gjithë kjo, sipas stafit, bëhet pasi ata ofrojnë asistencën në njësinë e kujdesit intensiv dhe pacientët, shpesh në gjendje të rënduar, nuk arrijnë t’u shohin fytyrën dhe as të dallojnë njërin nga tjetri. Ndaj stafi ka menduar, që nëse pacientët do të mund t’i shihnin fytyrat e tyre, pa rrezik infektimi, gjithçka do të ishte më e lehtë.
“Për shkak të dehumanizimit në jetën e përditshme, në një repart shumë delikat, që ka të bëjë me Covid-in, marrëdhënia me pacientin është bërë shumë e vështirë. Kjo ide, që duket thelbësore në shikim të parë, ka qenë në fakt revolucionare dhe ka ndikuar në përmirësimin e marrëdhënies sonë”, shprehen nga stafi mjekësor.
Spitalet në Itali janë vendosur sërish nën presion për shkak të shifrave në rritje të infektimit në vend. Ndonëse mjekët thonë se kjo valë e dytë është e ndryshme, krahasuar me valën e parë, sepse ata janë më të përgatitur, puna është ekstremisht e vështirë.
Top Channel