Google ka prezantuar Gemini 3.8 Flash, modelin më të ri të inteligjencës artificiale, i cili premton të kryejë detyra të ndërlikuara më shpejt dhe me kosto më të ulët.

Modeli është krijuar veçanërisht për programim, analiza financiare, përpunimin e dokumenteve ligjore dhe përdorimin e agjentëve autonomë, të aftë të realizojnë një proces nga fillimi deri në fund me ndërhyrje të kufizuar njerëzore.

Sipas Google, Gemini 3.8 Flash mund të analizojë një problem, të përdorë mjete të ndryshme dhe të korrigjojë gabimet gjatë punës. Në detyrat më të vështira, modeli kryen më shumë hapa arsyetimi për të përmirësuar rezultatin, por kjo mund të sjellë edhe konsum më të lartë të limiteve të përdorimit. Kompania ka prezantuar gjithashtu Gemini 3.8 Flash Cyber, një version të specializuar për zbulimin dhe riparimin e dobësive informatike. Për shkak të fuqisë së tij, ky variant do t’u ofrohet fillimisht vetëm institucioneve shtetërore, operatorëve të infrastrukturës kritike dhe ekspertëve të autorizuar të sigurisë.

Për përdoruesit e zakonshëm, Gemini 3.8 Flash është përfshirë në aplikacionin Gemini, në kërkimin e Google dhe në Google Sheets për abonentët AI Pro dhe Ultra. Shtrirja e plotë e shërbimit do të varet nga vendi dhe paketa e abonimit.

 

Top Channel