Pas Doverit, qindra protestues u mobilizuan edhe në Portsmouth të Anglisë, duke tentuar të pengojnë mbërritjen dhe transferimin e emigrantëve.
Të veshur tërësisht me të zeza, me kapuça dhe fytyrat e mbuluara, demonstruesit, lidhen sipas medias italiane me qarqe të së djathtës ekstreme jashtëparlamentare. Në fundjavë, të paktën 500 persona bllokuan për disa orë trafikun në portin e Doverit, nyja kryesore që lidh Britaninë e Madhe me Europën, duke shkaktuar probleme të konsiderueshme për udhëtarët. Protestuesit thërrisnin “Ndaloni varkat!”, duke iu referuar emigrantëve që mbërrijnë përmes Kanalit të La Manshit. Policia monitoroi situatën, por nuk ndërhyri.
Skena të ngjashme u përsëritën në Portsmouth, ku pritej mbërritja e një varke me 140 emigrantë të paligjshëm, e nisur disa orë më parë nga brigjet e Normandisë. Mjeti lundrues ishte shoqëruar fillimisht nga roja bregdetare franceze dhe më pas ishte marrë në dorëzim nga autoritetet britanike në ujërat e tyre territoriale.
Grupe protestuesish nga ekstremi i djathtë bllokuan rrugët e portit dhe u përpoqën të pengonin transferimin e emigrantëve drejt një qendre pritjeje. Këtë herë policia, e pajisur me mburoja dhe spraj me piper, ndërhyri për të shpërndarë turmën, por nuk pati arrestime. Qeveria britanike dënoi atë që e cilësoi si sjellje “ huligane”, duke theksuar se e drejta për protestë paqësore është themelore për demokracinë, por nuk duhet të shndërrohet në trazira. Zëvendësministrja e Thesarit, Emma Reynolds, pranoi se qytetarët kanë “shqetësime legjitime për emigracionin”, por tha se ato nuk duhet të shprehen në mënyrë kërcënuese.
Ndryshe reagoi Reform UK e Nigel Farage. Kreu i saj Lee Anderson, tha se nuk është për t’u habitur që njerëzit dalin në rrugë për të shprehur zemërimin ndaj atyre që, sipas tij, “nuk kanë asnjë të drejtë të qëndrojnë në këtë vend”. Pas mobilizimeve të fundjavës besohet se qëndron Danny Thomas, i njohur si “Danny Tommo”, një aktivist kundër emigracionit i lidhur me Tommy Robinson, të cilin media italiane e përshkruan si udhëheqës neofashist.
Thomas ka krijuar këtë verë “Platformën e Patriotëve”, duke bërë thirrje për “rezistencë masive”, ndërsa grupet më radikale, gjithmonë e më shumë po i organizojnë lëvizjet e tyre përmes rrjeteve sociale.
Top Channel