Krerët e dy institucioneve kryesore të BE-së, kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Europian, António Costa, i cilësuan shokuese skenat që iu shfaqën syve të botës nga ceremonia e varrimit të Ratko Mlladiç, ku njeriu që njihet ndryshe si “Kasapi i Ballkanit” u përcoll për në banesën e fundit me nderimet ushtarake.
Si Von der Leyen, ashtu edhe Costa e dënuan me forcë praninë e zyrtarëve të lartë serbë në funeralin e kriminelit të dënuar të luftës. Në deklaratën e postuar sot në platformën X, të dy ata u shprehën të “shokuar” nga glorifikimi i Mlladicit, teksa lanë të kuptohet se kjo gjë zbeh perspektivën e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Europian. “Pamjet nga funerali i Ratko Mlladiçit dje në Beograd ishin tronditëse. Mlladiç ishte një kriminel lufte i dënuar. Ai ishte përgjegjës për genocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, shkruajnë në X Von der Leyn dhe Costa.
Trupi i 84 vjetarit që vdiq në Hagë, ku po vuante dënimin me burgim të përjetshëm, u transportua me një avion shtetëror drejt Beogradit, ku u nderua me një gardë nderi nga ushtria serbe dhe forca të ndryshme të sigurisë, si dhe nga televizioni shtetëror dhe Kisha Ortodokse Serbe. Arkivoli i tij qëndroi i mbështjellë me flamurin serb. Një ditë më parë, zëdhënësja kryesore e KE-së, Paula Pinho, shkaktoi reagime të forta publike pasi tha në konferencën e përditshme për shtyp se “kishim dëgjuar se ishte parashikuar një funeral me nderime shtetërore dhe kjo nuk ka ndodhur”. Por ministra e Jashtme e Bosnje Hercegovinës menjëherë e cilësoi deklaratën e saj si një turp për të gjithë BE-në duke theksuar se “pesë ministra të qeverisë serbe ishin ulur në rreshtin e parë në funeral, një krimineli lufte të dënuar iu bënë nderime ushtarake dhe trupi i tij u transportua me një avion të qeverisë serbe”.
Tani deklarata e përbashkët e von der Leyen dhe Costës duket se e konsolidon dënimin institucional të BE-së ndaj lartësimit të Mlladiçit, duke theksuar se dështimi i Serbisë për t’u përballur me një kapitull të errët të historisë europiane bie ndesh me vlerat mbi të cilat mbështetet anëtarësimi në BE. Më herët, Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, anuloi vizitën e planifikuar në Serbi. Aleksandar Vuçiç ka bërë thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në fund të tetorit.
Qeveria serbe i propozoi atij shpërndarjen e Parlamentit dhe mbajtjen zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat, nëse miratohen, duhet të shpallen brenda 72 orëve, teksa duket se Vuçici sipas mediave të huaja, po përgatit rokadën, për ta kaluar nga presidenca në kryeministri.
Top Channel