Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka realizuar një bisedë telefonike me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, transmeton Anadolu Agency (AA).
Drejtoria e Komunikimit e Turqisë njoftoi se Michel telefonoi presidentin Erdoğan për ta informuar dhe për të shkëmbyer mendime mbi samitin e Bashkimit Evropian (BE) që u mbajt së fundmi.
Gjatë bisedës së tyre, Erdoğan tha se Turqia vlerëson çdo hap pozitiv të ndërmarrë në marrëdhëniet Turqi-BE si “një dritare e re e mundësive”.
Duke theksuar se disa vende vazhdimisht bëjnë përpjekje për të shkaktuar një krizë përderisa Turqia po përpiqet të kthejë një faqe të re me BE-në, Erdoğan theksoi se marrëdhëniet Turqi-BE sa më parë duhet të heqin qafe këtë cikël të lig.
Turqia përsëriti gatishmërinë e saj për bisedime me Greqinë mbi kërkimet në Mesdheun Lindor, tha presidenti turk, duke shtuar se pala greke në vazhdimësi ka shmangur negociatat duke bërë justifikime dhe duke ndërmarrë hapa provokuese në javët e fundit.
Duke theksuar se politika e Turqisë mbi Mesdheun Lindor bazohet në drejtësi, ai tha se pala turke gjithmonë bën përpjekjet e nevojshme për një zgjidhje të drejtë, të përhershme dhe të qëndrueshme në rajon.
Erdoğan po ashtu theksoi se vendi i tij dëshiron që BE-ja të miratojë një qëndrim të arsyeshëm dhe konstruktiv ndaj Turqisë.
Deklarata e lëshuar pas përfundimit të samitit dy-ditor më 11 dhjetor, përsëriti angazhimin e BE-së për “mbrojtjen e interesave të saj dhe të vendeve anëtare të saj, si dhe për të mbështetur stabilitetin rajonal”.
Samiti po ashtu sinjalizoi se javët e ardhshme BE-ja mund të rrisë presionin ndaj Ankarasë, duke përfshirë individë shtesë nga sektori i energjisë i Turqisë në një regjim sanksionesh, që u krijua në nëntor të vitit 2019.
Turqia e cila ka vijën bregdetare kontinentale më të gjatë në Mesdheun Lindor, ka mohuar pretendimet kufitare detare të Greqisë dhe Qipros Greke, si dhe ka theksuar se këto pretendime të tepërta shkelin të drejtat sovrane të Turqisë dhe Qipros Turke.
Ankaraja në muajt e fundit ka dërguar disa anije të kërkimit për të eksploruar burime të energjisë në Mesdheun Lindor, duke pohuar të drejtat e saj në rajon, si dhe ato të Qipros Turke.
Udhëheqësit turk në vazhdimësi kanë theksuar se Ankaraja është në favor të zgjidhjes së të gjitha problemeve të pazgjidhura në rajon përmes ligjit ndërkombëtar, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut dhe negociatave.
Top Channel