Kush nuk bën vaksinën e koronavirusit nuk merr ilaçe falas: qyteti i vogël shtet i San Marinos ka vendosur të ndjekë një linjë të ashpër me personat që refuzojnë vaksinën e koronavirusit.
Propozimi i ministrit të Shëndetësisë, Roberto Ciavatta pritet të miratohet shpejt në asamblenë legjislative të vendit. Ai parashikon që vaksinimi për popullatën të nisë gjatë muajve të ardhshëm. Por ndërsa me ligj, vaksinimi në një rast të tillë është fakultativ. Nga ana tjetër, zyrtarët theksojnë se rreziku është i tillë, që nuk duhet nënvlerësuar, ndaj dolën me propozimin që kush refuzon imunizimin, por pastaj sëmuret me Covid-19 duhet t’i paguajë nga xhepi i tij të gjithë shpenzimet shëndetësore të lidhura me kurën e koronavirusit.
“Ekspertët e komisionit të vaksinave pranë Institutit të Sigurisë Sociale janë të një mendjeje: vaksina në San Marino do të jetë falas për të gjithë, por kush vendos të mos e bëjë, duhet ta paguajë vetë trajtimin në rast infektimi”, tha ministri.
Megjithatë, ndryshe nga vende të tjera të Evropës, këtu nuk do të ketë kufizime për festat e fundvitit dhe hotelet e restorantet vendase do të organizojnë darka festive për natën e ndërrimit të viteve.
Top Channel