Dyshohet se kishte lidhje me grupin ShinyHunters, policia holandeze arreston 24-vjeçarin: Vodhi të dhënat e ndjeshme të 38 mijë punonjësve të FBI-së
Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, ka kërcënuar se do të ndërmarrë veprime ligjore kundër Mbretërisë së Bashkuar nëse Londra nuk ndalon punimet për kërkimin dhe shfrytëzimin e naftës në brigjet e Ishujve Falkland.
Në një postim në rrjetet sociale, Milei i ka dhënë qeverisë britanike një afat prej dy javësh për të anuluar projektin e fushës së naftës “Sea Lion”, një sipërmarrje e përbashkët mes kompanive britanike dhe izraelite.
Presidenti argjentinas tha se, nëse afati nuk respektohet, ka udhëzuar Departamentin e Shtetit dhe ekipet ligjore të nisin procedurat ndërkombëtare të arbitrazhit kundër Mbretërisë së Bashkuar, duke e akuzuar Londrën për “plaçkitje të paligjshme të burimeve tona përmes projektit Sea Lion”.
Milei paralajmëroi gjithashtu se, nëse ajo që ai e cilësoi si “shfrytëzim të paligjshëm” i zonës nuk ndalet brenda dy javësh, Argjentina do ta çojë çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare për Ligjin e Detit, me seli në Hamburg.
Kompanitë e përfshira në projekt këmbëngulin se disponojnë licenca të vlefshme të lëshuara nga autoritetet britanike, sipas BBC.
Fusha “Sea Lion”, e cila ndodhet rreth 200 kilometra nga Ishujt Falkland, vlerësohet se përmban rreth 1.7 miliardë fuçi naftë. Kompanitë Rockhopper Exploration nga Britania dhe Navitas Petroleum nga Izraeli pritet të nisin shpimet në këtë zonë brenda dy viteve.
Deklaratat e Mileit vijnë në një moment tensionesh të shtuara mes Argjentinës dhe Britanisë për statusin dhe sovranitetin mbi Ishujt Falkland, më shumë se katër dekada pas luftës së vitit 1982, kur Britania zmbrapsi pushtimin argjentinas të arkipelagut.
Në një fjalim të mbajtur javën e kaluar para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Milei kritikoi ashpër Kombet e Bashkuara, duke e cilësuar organizatën si “të padobishme” dhe duke akuzuar disa prej zyrtarëve të saj se u shërbejnë “parazitëve arrogantë që maskohen si burokratë me qëllime të mira”.
Në përgjigje të deklaratave të presidentit argjentinas, Sekretari Britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, tha se Argjentina “nuk ka kapacitetin” për të pushtuar ishujt me forcë.
Në një referendum të zhvilluar në vitin 2013, banorët e Ishujve Falkland votuan me shumicë dërrmuese për ruajtjen e statusit të tyre si territor britanik përtej detit. 99.8% votuan pro, ndërsa vetëm tre persona votuan kundër.
Top Channel