Ndryshe nga ajo e para, protesta e dytë masive kundër kundër vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha, ka nisur e dhunshme që prej fillimit të saj, tubim që ka zgjatur për disa orë rresht.

Ashtu siç ishte paralajmëruar, protesta ka nisur fillimisht pranë Ministrisë së Brendshme e rrethuar nga dhjetëra efektivë policie, për të vijuar më pas në “Sheshin Skënderbej” detaje që janë përcjellë dhe raportuar nga kolegët e Top Channel, Sidorela Gjoni dhe Anila Hoxha.

Revoltës së qytetarëve, që duket se nuk janë mjaftuar as me dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, nuk i kanë shpëtuar as institucionet e tjera publike, ku shumë prej tyre kanë tentuar të hyjnë edhe në godinën e Ministrisë së Financave, ndërsa kanë thyer edhe derën kryesore të Muzeut Kombëtar.

Të ndarë në grupe, ata u zhvendosën më pas në drejtim të Bulevardit të Kombit , në rrugicat e zonës së Bllokut si dhe në pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ku protestuesit e revoltuar nuk kanë kursyer as sulmet ndaj uniformave blu duke përdorur mjete e sende të forta në drejtim të tyre.

Përshkallëzimi i protestës ka sjellë edhe kundërpërgjigjen e policisë e ndryshe nga një ditë më parë edhe atë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë duke hedhur gaz lotsjellës dhe ujë në drejtim të protestuesve për t’i shpërndarë, teksa policia vijoi më pas edhe arrestimin në radhët e tyre. Incidente këto që janë ndjekur dhe raportuar edhe nga gazetarja e Top Channel, Kristi Gongo.

Hedhja e gazit lotsjellës ka sjellë edhe largimin e turmës së protestuesve, të cilët ashtu si një ditë më parë, kërkuan drejtësi për Klodian Rashën dhe dorëheqjen e Ministrit Lleshaj.

Gjatë largimit, protestuesit kanë djegur edhe disa kazanë me plehra teksa kanë dëmtuar po ashtu edhe disa objekte publike në zonat ku kanë zhvilluar protestën. Klodian Rasha u qëllua për vdekje më dy plumba nga një efektiv policie në mëngjesin e 8 dhjetorit, ku 25-vjeçari nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA