Dede ‘nxeh gjakrat’ para derbit: Tirana “e dënuar” të fitojë gjithmonë

03/12/2020 23:53

Një humbje dhe dy barazime ka shënuar Nevil Dede në tre ndeshjet e para në stolin e Tiranës, ndërsa nesër në mbrëmje do të provojë të shijojë fitoren e parë, pasi bardheblutë do të përballen me Partizanin në derbin e kryeqytetit.

Tekniku i Tiranës ka dalë sot në konferencën e zakonshme për shtyp, ku ka folur për momentin e vështirë që po kalojnë bardheblutë, rëndësinë e derbit ndaj Partizanit dhe vështirësitë e përballjes me “të kuqtë”.

Të është dashur të punosh shumë në aspektin psikologjik me ekipin, para derbit?
Unë mendoj që në aspektin psikologjik, kjo ndeshje nuk ka nevojë për shumë koment. Rezultatet bëjnë që të mendohet se Tirana nuk po kalon një moment të mirë. Është vetëm problem i rezultateve, për sa i përket lojës, do të thosha që unë jam i kënaqur me djemtë, me atë çfarë kanë dhënë në fushë. Më ka ardhur keq për ta dhe për klubin, pasi unë jam pjesë e tij. Duhet të kishim më shumë pikë, por kampionati është i gjatë, çdo ndeshje shërben për të rikuperuar gabimet dhe në fund fare të bëjmë ato rezultatet që të gjithë i prisnim.

Sezonin e kaluar derbi ishte pika e kthesës për Tiranën. Mund të shërbejë ky derbi si një pikë kthese pas një starti jo të mirë?
Gjithmonë i mëshohet pjesës që starti nuk është i mirë dhe kjo është e vërtetë. Në qoftë se starti do të ishte i mirë unë nuk do të isha këtu, por do të vazhdonte Emanuel Egbo, trajner i Tiranës dhe nuk do të ishim në këtë histori. Kur nuk ka start të mirë bëhen edhe ndryshimet. Vetë fjala ndryshim nënkupton shumë gjëra brenda dhe këtë duhet ta mendojnë mirë të gjithë. Besoj se do të rikthehemi shumë shpejt. Për mua e rëndësishme është që kontingjenti të plotësohet sa më shpejt dhe ashtu siç po na kthehen lojtarët një nga një, ashtu të kthehet dhe ekipi te rezultatet pozitive.

I frikësohesh konsolidimit të Partizanit në ndeshjet e fundit? Ekipi po luan mirë, por vuan të gjejë golin…
Nuk besoj se kemi shënuar pak, por ky është këndvështrim dhe perceptim i çdokujt. Unë do të thosha që nesër na pret një ndeshje shumë e vështirë, që bën histori për tifozët dhe qytetin tonë, si dhe për kundërshtarin. Do ta përjetojmë shpirtërisht dhe mendërisht, dhe në fund fare do ta interpretojmë në mënyrën më të mirë të mundshme.

A është Dede “i dënuar” të mos humbë nesër?
Tirana është “dënuar” gjithmonë që të fitojë, është “dënuar” që të pretendojë për titullin kampion. Në historinë e këtij klubi kështu është perceptuar dhe të gjithë brezat janë rritur me këtë filozofi dhe mendim. Do të mundohemi të bëjmë ndeshjen tonë, të kemi respekt për veten. Doja të bëja një thirrje për lojtarët. Në këto kushte që po kalon gjithë bota dhe futbolli ynë shqiptar, duhet të bëjmë më të mirën. Të dyja skuadrat duhet të kënaqin njerëzit që na ndjekin nëpër ekranet për të harruar hallet që po kalon jo vetëm populli jonë, por e gjithë bota.

A keni pasur kohë mjaftueshëm për të implementuar idetë tuaja te Tirana?
Në situatën që jemi, në kushtet që po zhvillohet kampionati, ku ndeshjet janë çdo 3 ditë, maksimumi kemi pasur në dispozicion jo më shumë se 2-3 seanca stërvitore. Në këto kushte duhet të bëjmë më të mirën, të jemi të përqendruar dhe të përmirësojmë ato problematika ku kemi shfaqur disa oshilacione në pjesë të caktuara të një ndeshje.

Duke qenë se banon vetëm pak metra larg Dajës, jeni ngacmuar në prag të derbit?
Të jem i sinqertë, nuk jemi shkëmbyer te lagjja. Ai mbetet një mik i mirë, pasi kemi punuar bashkë e kemi pasur suksese, unë si lojtar, ai si trajner. Respekti është reciprok maksimal, jo vetëm si persona, por edhe i familjeve tona që njihen prej vitesh. Të gjitha këto më bëjnë të mendoj ato që thashë edhe më para, të përcjellim “fair” në fushë, në fund fare të jemi krenarë që po i përcjellim popullit shqiptarë dhe tifozërive tona përkatëse më të mirën e mundshme. Unë doja të thosha që gjithmonë ne duhet të përcjellim mesazhe pozitive dhe në fund fare të fitojë më i zoti që në këtë situatë do të jemi ne.

Duke u nisur nga situata, do të kënaqeshit me një barazim?
Në futboll çdo trajner ka strategjitë e tij. Mundohen të marrin më të mirën në situatat që përgatisin. E rëndësishme është që kjo ndeshje do të ketë ekuilibër dhe ekipet do të mundohen të gabojnë sa më pak dhe të marrin sa më shumë nga kjo ndeshje. Kjo është përgjigja më e saktë që mund t’ju jap.

Pse ky derbi duhet të luhej në “Air Albania”, duke ditur që gjendja e fushës nuk është e mirë, ndërkohë që fusha në “Selman Stërmasi” sapo është rregulluar?
Organizatorët e ndeshjes janë drejtuesit tanë, por ka dhe faktorë të tjerë që vendosin ku do të zhvillohet ndeshja. Unë nuk jam agronom, që të vendos kush është fusha më e mirë apo fusha me e keqe. Stadiumi “Air Albania” është një reklamë, një investim i FSHF-së, i komitetit të futbollit shqiptar, i shtetit shqiptar. Ne mburremi me atë stadium dhe nuk e kuptoj kujt nuk do i pëlqente ajo fusha atje. Klubi jonë ka bërë ri-investim në “Selman Stërmasi” dhe jemi të lumtur, por gjithsesi “Air Albania” ofron kushte më të mira edhe për imazhin e futbollit shqiptar në përgjithësi.

E shikoni si disfavor që disa prej lojtarëve tuaj nuk kanë luajtur asnjëherë në derbi?
Gjithmonë ka një herë të parë. Edhe unë dikur, kur fillova të luaja, kur kam shkelur “Qemal Stafën”, kam menduar që kjo është hera e parë. E rëndësishme është të jenë me motivimin e duhur dhe të përjetojnë të njëjtat ndjesi. Është e rëndësishme ndërthurja e elementëve që kemi. Duhet të jenë krenar dhe të nderuar që marrin pjesë në një nga ndeshjet që ka bërë historinë e futbollit shqiptar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA