Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së martës problematikat me institucionet financiare bankare, të cilat kanë futur në dokumente kredie edhe persona që nuk kanë mbushur as 18 vjeç.
Altin Cungu, nga Kruja, denoncoi në emisionin investigativ se i kanë shkuar disa dokumente nga një institucion bankar. Në këto dokumente, Altini lajmërohet se ka qenë dorëzanës në një kredi të marrë në vitin 2000. “Tani më dërguan disa dokumente, sikur detyrimi im njëherë është 160 mijë lekë të rinj, më pas më ka shkuar 180 mijë lekë të rinj. Unë s’kam marrë ndonjëherë kredi në jetën time, pasi kam qenë emigrant dhe s’kam qenë fare në Shqipëri në atë kohë” thotë ai.
Sipas dokumenteve, Altini detyrohet që të paguajë këtë shumë, pasi rezulton dorëzanës në një kredi. Pohon se personi që ka marrë kredinë nuk e njeh, ndërsa ka rezultuar se në letra thuhet se kredia është marrë në muajin prill të vitit 2000 në NOA Bank. Në atë kohë, Altini nuk i kishte mbushur 18 vjeç.
Ai ka lindur në 19 shtator 1982, dhe në prill të vitit 2000, ka qenë 17 vjeç! “Nuk e di si janë bërë letrat, këtë kërkoj që të zbulohet i gjithë mashtrimi. Tani unë dal si kreditor i keq në Bankën e Shqipërisë dhe më janë refuzuar të gjithë kreditë” pohon ai. Në një dokumentet që NOA Bank i ka dërguar, ka pasaktësi shumë të mëdha. Vetë NOA Bank shkruan se kredia është marrë në prill të vitit 2000. Më poshtë, jep edhe emrat e dorëzanëve, ku përbri emrit të denoncuesit, ka vendosur edhe datëlindjen e tij, që është shtator 1982! Dhe, në prill 2000, z.Altin Çangu ka qenë vetëm 17 vjeç.
Ndërkohë, sipas një dokumenti tjetër, që mban datën 13 prill 2000, është bërë një akt dorëzanie, ku ndër të tjera figuron edhe emri i z.Altin Çangu. Por, në këtë akt nuk është dokumenti i identifikimit të Altinit, por vetëm firma e tij. Fiks Fare u interesua pranë NOA Bank, ku mori kontakte me drejtues të institucionit financiar, duke i shpjeguar problematikën.
“E kuptova, e bëra logjikën. Me të drejtë! NOA është institucion i krijuar në vitin 1998, dy vjet para këtij skandali me ç’kuptoj. Ky është një rast para 20 vitesh, ne do ta ndjekim me shumë vëmendje. Ne do ju përgjigjemi siç duhet, dmth çdo gjë siç duhet. Do përpiqemi që ti japim drejtim absolutisht gjësë. Unë do ta hetoj rastin, do t’ja përcjell drejtorisë sonë përkatëse. Si institucion financiar ne i njohim këto lloj situatash, e mirëkuptojmë sepse në fund të fundit, kur një klient merr një kredi të shpejtë, i gjendesh në hall, pa kërkuar kolateral, pa kërkuar shumë dokumentacion, këto janë risqet që ne marrim përsipër. Pra, u kemi zgjidhur halle njerëzve, po është një risk që ne marrim përsipër” thotë punonjësi. Më tej shton se ky është një rast para 20 viteve, por Fiks Fare do të marrë një përgjigje.
Disa dite pas këtij takimi, një punonjëse telefonon në redaksinë e Fiks Fare dhe kthen një përgjigje. “Neve duke bërë investigimet tona, për momentin dhe gjatë verifikimeve që janë bërë në sistemin tonë, egziston një person me iniciale që ju keni përcjellë te neve. Por, për shkak të legjislacionit dhe për konfidencialitetin të personit, duke ruajtur të dhënat e klientëve tonë, ky person që ju keni përcjell rezulton që të jetë në emër, mbiemër të njëjtë me këtë me verifikimet që kemi bërë neve, por na ndryshon datëlindja.
Të dhënat e tij kanë qenë të regjistruara në atë kohë, kur është regjistruar ky personi, me kohën që jemi tani, nuk mund t’i verifikojmë dot pa pasur një dokument identifikimi të saktë nga vetë personi i interesuar për këtë çështje. Vetë personi për të bërë identifikime më të sakta dhe më të mëtejshme, duhet të paraqitet në një nga zyrat tona me kartë identiteti, me një mjet identifikimi të vlefshëm dhe të bëjë një shkresë zyrtare, një ankesë zyrtare, në lidhje me problemin që ka. Dhe ne përsëri do të bëjmë investigime përsëri më të thelluara që t’i japim pastaj zgjidhje” tha punonjësja.
Top Channel