Trajneri i Shqipërisë U21 ka dalë sot në një konferencë për shtyp, ku ka publikuar listën e futbollistëve që ka marrë në grumbullim për dy ndeshjet e fundit eliminatore ndaj Kosovës e Anglisë më 13 dhe 17 nëntor.
Ndonëse grumbullimi ka nisur që të dielën në mbrëmje, Bushi bëri publike listën vetëm ditën e sotme, ku ka grumbulluar 21 futbollistë dhe ka edhe një listë pritjeje prej 5 lojtarësh, ndërsa vlen të theksohet se ka marrë plot 7 lojtarë nga Kategoria Superiore, 3 prej të cilëve nga ekipi i Laçit.
Në intervistën e dhënë për mediat, Bushi theksoi se ka në përbërje një grup me shumë cilësi e kualitet dhe se është gati të provojë të marrë dy fitore në ndeshjet e radhës, për të shpresuar në një kualifikim të mundshëm.
Sa kualitativë i sheh sulmuesit e Shqipërisë, sidomos përballë një Anglie me emra të mëdhenj në grup?
Në radhë të parë unë dua të flas për ndeshjen ndaj Kosovës. Ne kemi një ekip me kualitete shumë të mira, sidomos në repartin e sulmit, por kjo vjen edhe për shkak të cilësive në mbrojtje, pasi dalim mirë nga mbrojtja në sulm dhe këta djem janë për t’u falënderuar për atë që po bëjnë në fushë dhe vizionin që po tregojnë. Ndeshja e Kosovës është e radhës për ne dhe jemi të fokusuar 100% për të mos e humbur, pasi vijmë nga një ecuri mjaft e mirë dhe do të japim maksimumin për ta fituar. Kemi lojtarë më të mirë dhe më luftarakë se Kosova, ndaj besoj se do t’ia dalim.
Kjo gjeneratë ka sjellë shumë talente dhe keni pasur shumë alternativa në grumbullime. Cila është bërthama e Shpresave kuqezi?
Unë mendoj se që nga përfaqësueset e moshave më të vogla, pra U15 e me radhë, është një brez shumë i mirë dhe ky është fryt i një pune shumë të mirë të bërë nga Federata gjatë 10-15 viteve të fundit. Kemi shumë lojtarë dhe nga ndeshja e kaluar na mungojnë 7 futbollistë, por nuk do të thotë asgjë, pasi do të luajmë mirë dhe do të tregojmë futboll të bukur. Jemi gati të luajmë shanset tona për të zënë një vend shumë të mirë, që ndoshta nuk e kemi arritur ndonjëherë.
Keni ftuar 3 futbollistë nga Laçi?
Laçi ka pasur gjithmonë lojtarë të rinj, pasi kjo është një strategji e klubit, që i aktivizon dhe ua ka parë hajrin, pasi është përfaqësuar në Europë dhe ka shitur shumë futbollistë. Mendoj se duhet besuar te të rinjtë dhe duhet t’u japim një dorë, pasi vetëm kështu ata mund ta tregojnë veten e tyre. Jam i lumtur pasi ekipi i Laçit ka sjellë shumë produkt në Kombëtare.
Trajneri Reja tha se Bushi shpesh qan kur i marr lojtarë?
E ka thënë për batutë, por gjithsesi është një nga ato deklarata që i shkon trajnerit Reja. Unë nuk ankohem, pasi e kam kënaqësi kur lojtarët e Shpresave shkojnë në ekipin e parë, megjithatë tani nuk do qahem, por do fitoj.
A e ka përmbushur misionin e saj Kombëtarja U21 me dërgimin e lojtarëve te skuadra e parë?
Ne do të kishim dëshirë që të ruanim të gjithë lojtarët që kishim në fillim të edicionit, por për shkak të rrethanave, trajneri Reja është detyruar të kthejë shpesh sytë nga ne për të furnizuar skuadrën e parë. Gjithsesi unë jam shumë i kënaqur pasi të gjithë të rinjtë që vijnë, hyjnë shpejt në idenë tonë të lojës dhe kjo është shumë e rëndësishme. Janë lojtarë me kualitet të lartë dhe do të jenë kandidatë për ekipin e parë.
Vëmendja te Kosova, por ndeshja me Anglinë mund të jetë një vitrinë për shumë futbollistë të Shpresave?
Unë mendoj që çdo stërvitje është vitrinë për futbollistët dhe nuk ka rëndësi nëse është Anglia apo Kosova. Unë mendoj që për t’u bërë lojtar i madh, duhet të bësh maksimumin në stërvitje, pasi kjo është mënyra e vetme për të bërë mirë në ndeshje. Natyrisht që të gjithë do të donin të luanin ndaj Anglisë, por ne jemi shumë të fokusuar te Kosova momentalisht, pasi ata do të luajnë fort dhe kanë lojtarë me shumë minuta në këmbë. Do të jetë një ndeshje e luftuar dhe interesante.
Lista e të grumbulluarve:
Top Channel