Live Francë-Senegal/ “Tronditet” porta e Maignan, afrikanët ndalen nga shtylla
Lojtari ka mbetur në grumbullimin e skuadrës në Rhode Island, ndërsa shokët e tij kanë fluturuar drejt Torontos për ndeshjen kundër Panamasë.
Nesër në Toronto, Gana do të nisë rrugëtimin e saj në Kupën e Botës përballë Panamasë. Dhe do ta bëjë këtë pa një nga lojtarët e saj kryesorë, Thomas Partey. Mesfushori i Villarreal-it ka përshëndetur sot shokët e skuadrës që po niseshin drejt Kanadasë dhe ka qëndruar në kampin stërvitor në Rhode Island. Jo, ai nuk është i dëmtuar; përkundrazi, është në gjendje të shkëlqyer fizike dhe me shumë mundësi do ta niste ndeshjen si titullar. Partey ka mbetur në Shtetet e Bashkuara sepse Kanadaja i ka refuzuar vizën e hyrjes. Fakti që është një futbollist i angazhuar në Kampionatin Botëror nuk i garanton atij imunitet diplomatik, siç e pamë edhe në rastin e arbitrit somalez Artan, të cilit nuk iu lejua hyrja në SHBA.
Çuditërisht, Partey është lejuar të hyjë në Shtetet e Bashkuara, por jo në Kanada. Ajo që ka motivuar refuzimin nga ana e autoriteteve kanadeze është situata gjyqësore e futbollistit ganez: Partey po përballet me një proces gjyqësor në Londër, me 7 akuza për përdhunim dhe një për sulm seksual, të ngritura kundër tij nga katër gra të ndryshme. Për këtë arsye, pas një sezoni si titullar i padiskutueshëm nën drejtimin e Arteta-s, verën e kaluar ai u largua nga Arsenal-i dhe Britania e Madhe për t’u zhvendosur në Spanjë, duke nënshkruar një kontratë me Villarreal-in.
PROCESI GJYQËSOR SHTYHET PËR NË 2027
Denoncimet kanë filluar të mbërrijnë në korrik të vitit 2025, në lidhje me ngjarje që pretendohet se kanë ndodhur midis viteve 2021 dhe 2022 (kohë kur nisi edhe hetimi nga policia londineze). Më pas, u shtuan edhe dy të tjera në shkurt 2026 për episode që lidhen me vitin 2020. Në muajin mars, Partey u deklarua i pafajshëm në të gjitha pikat. Të 8 denoncimet janë bashkuar në një dosje të vetme, gjë që ka shkaktuar vonesa në procedurat ligjore, duke e shtyrë gjyqin për në vitin 2027.
VONON VIZA, POR VAZHDON JETËN NORMALE: Ndërkohë, futbollisti ka vazhduar jetën e tij normale, duke luajtur në La Liga dhe me kombëtaren, teksa trajneri Queiroz e grumbulloi për Botëror. Megjithatë, në momentin e marrjes së vizës për ndeshjen e parë përtej kufirit, erdhi surpriza e hidhur: Kanadaja nuk dëshiron të ketë asnjë lidhje me Partey-n. Gjithsesi, ai do të ketë mundësi të zbresë në fushë kundër Kroacisë dhe Anglisë, pasi dy ndeshjet e tjera të grupit do të zhvillohen brenda territorit amerikan.
Top Channel