Turqia po përjeton vuajtjen më të madhe në këto 30 orë.
Dhjetëra të vdekur, numri të cilëve pritet të rritet, qindra nën rrënoja që po presin me padurim që të shikojnë dritën, të tjerë që kanë humbur shtëpinë e tyre e po përballen me të ftohtin.
Pamje rrëqethëse të ndërtesave të shkatërruara si copa kartoni në vetëm pak sekonda shkatërrimtare për popullin turk. Lot në sytë e njerëzve që mezi presin të bashkohen me të afërmit e tyre që nuk e dinë nëse janë gjallë apo vdekur nën ato rrënoja të ftohta. Hidhërim, vuajtje dhe shpresë që ka akoma jetë nën ato rrënoja edhe pse ka kaluar 30 orë qëkur toka u trondit e solli aq shkatërrim në Turqi, kryesisht në qytetin bregdetar të Izmirit.
Numri i viktimave në tërmetit në Izmir të Turqisë ka shkuar në 39, ndërsa kanë mbetur të plagosur lehtë 667 persona dhe 218 persona që po qëndrojnë në terapi nga plagët e marra gjatë shembjes së ndërtesave. Dyshohet se 180 persona vijojnë të jenë ende nën rrënoja, ndërsa ekipi i kërkim-shpëtimit vazhdon kërkimin.
Tërmeti me madhësi 6.6 në Detin Egje u regjistrua në orën 14:51, të ditës së djeshme, 17 kilometra larg rrethit Seferihisar të Izmirit. Puna për shpëtimin vazhdon në 8 ndërtesa, ndërsa ka përfunduar në 9 nga 17.
Ekipi i kërkim-shpëtimit kanë një qëllim të vetëm, të rikthejnë buzëqeshjen në fytyrat e familjarëve që presin me shpresë të shikojnë edhe një herë të afërmit e tyre.
Pandemia është harruar për momentin në Izmir, ndërsa qytetarët po përjetojnë një vuajtje më të madhe, tërmetin.
Top Channel