
Shqetësimi po rritet në Evropë ndërsa vendet thyejnë rekorde njëri pas tjetrit për sa i takon rasteve ditore të koronavirusit dhe organizata botërore e shëndetësisë paralajmëron se bilanci ditor i viktimave në kontinent mund të shkojë në të paktën pesë herë më i lartë se ai i prillit, brenda pak muajsh.
Vendet që ia dolën ta menaxhonin pandeminë përmes izolimeve në pranverë dhe nisën zbutjen e masave, po shohin virusin të kthehet akoma më hakmarrës me Gjermaninë, Francën dhe republikën ceke që kanë regjistruar shifra rekord dy ditët e fundit. Për OBSH, situata është shumë shqetësuese dhe projektimet e modeleve të besueshme epidemiologjike nuk janë aspak optimiste.
Ndërkohë, masa të thjeshta si distancimi social dhe mbajtja e maskave nga popullata mund të shpëtojë deri në 281 mijë jetë në evropë deri më 1 shkurt.
Në të gjithë bllokun, më pak se 60 për qind e qytetarëve mbajnë rregullisht maskat ndërkohë që nevojitet sipas OBSH një bashkëpunim në masën 95 për qind. Numri i rasteve të reja në pesë vendet më të prekura në Evropë, që së bashku kanë një popullatë të përafërt me atë të SHBA, ka qenë rreth 42 për qind më i madh se rritja në shtetet e bashkuara në javën që përfundoi më 13 tetor.
Mesatarja e rasteve të reja në periudhën shtatë ditore deri më 13 tetor, ishte në SHBA 49542 ndërsa në Francë, Britani, Rusi, Spanjë e Holandë së bashku, mesatarja ishte prej 70158. Popullata në këto pesë vende evropiane është 343 milionë ndërsa në SHBA popullata është 331 milionë.
Top Channel