Me daljen e ekonomisë nga karantina duket se është përmirësuar edhe besimi i bizneseve dhe konsumatorëve në ekonomi.
Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e tretë Treguesi i Ndjesisë Ekonomike rrit me 23 pikë duke arritur në 75.3, pasi preku në tremujorin e dytë nivelin më të ulët historik.
Rritja e këtij treguesi u ndikua kryesisht nga përmirësimi i bizneseve veçanërisht në sektorët e shërbimeve dhe ndërtimit dhe më pak nga ai i konsumatorëve.
Me gjithë përmirësimin e shënuar në tremujorin e tretë, sërish Treguesi i Ndjesisë Ekonomike është nën mesataren historike edhe për shumicën e treguesve të aktivitetit.
Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit shënoi një rritje me 23.2 pikë përqindje dhe bizneset që operojnë në këtë degë të ekonomisë shprehen optimiste për ecurinë e çmimit të banesave.
Sektori i shërbimeve po ashtu pa një përmirësim të ndjeshëm me rreth 22.2 pikë përqindje, teksa për bizneset e tregtisë treguesi i besimit u rrit me 14.8 pikë përqindje. Nga ana tjetër, rritja më e ulët është evidentuar në sektorin e industrisë me vetëm 9.7 pikë përqindje.
Ndryshe nga bizneset, besimi i konsumatorëve në ekonomi u rrit me vetëm 3.3 pikë përqindje, duke reflektuar kështu pasigurinë e lartë të tyre për të ardhmen.
Top Channel