Çmimet e banesave frenojnë rritjen, por nuk ulen, duhen më shumë muaj për të shitur një apartament

23/09/2026 19:55

Çmimet e banesave në Shqipëri janë ende rreth 10% më të larta se një vit më parë, por ritmi me të cilin po rriten ka rënë ndjeshëm.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se nga një periudhë në tjetrën indeksi i çmimeve të banesave në rang vendi regjistron një ngadalësim.

Në gjashtëmujorin e parë të 2025-ës, çmimet regjistronin një rritje vjetore prej 41.7%. Në gjashtëmujorin e dytë, ritmi ra në 28%, ndërsa tashmë, në gjashtëmujorin e parë të 2026-ës, rritja vjetore është rreth 10%. Tirana mbetet qarku me situatën më dinamike.

Në Tiranë, situata është më dinamike. Indeksi i çmimeve u rrit me rreth 10% gjatë gjashtëmujorit, ndërsa me rreth 9% në terma vjetorë.

“Sipas vrojtimit, indeksi i çmimit të banesave në rang vendi qëndroi i pandryshuar në terma gjashtëmujorë dhe u rrit me 10% ndaj një viti më parë. Indeksi për Tiranën u rrit me gati 10% gjatë periudhës, ndërsa me rreth 9% në terma vjetorë. Çmimet e qirasë vijuan të rriten edhe për këtë periudhë”, tha Banka e Shqipërisë.

Nga raporti vërehet se çmimet nuk po bien, por vrulli i rritjes është frenuar.

“Ndalur në tregun e brendshëm kemi kujdes ndaj ekspozimeve të bankave drejt tregut të pasurive të paluajtshme, por si rrezik të mundshëm shohim dhe ekspozimin ndaj sulmeve kibernetike”, tha drejtori i Departamentit të Stabilitetit Financiar, Klodion Shehu.

Një tjetër tregues që tërheq vëmendjen është dhe koha mesatare e shitjes së një banese në Tiranë, e cila është rritur nga 8.1 në 9.7 muaj.

Vetë Banka e Shqipërisë evidenton si faktor rritjen e kohës së shitjes për pronat e shitura në kryeqytet.

Por pavarësisht kësaj, kërkesa për blerje banesash në këtë 6-mujor të parë të vitit mbetet e qëndrueshme, ndërsa kreditimi për banesa vazhdon të mbështesë tregun.

Top Channel