Të huajt preferojnë Durrësin/ Shtatori i mbushur me turistë, operatorët: Ulen çmimet dhe ka më shumë privatësi

20/09/2026 15:11

Sezoni i pushimeve po vijon me ritme të mira në bregdetin e Golemit edhe këtë shtator.

Veçanërisht për ata që kërkojnë të shmangin rrëmujën e stinës së nxehtë, moti dhe bregdeti i Adriatikut ofrojnë kushtet ideale për pushime të qeta këtë vjeshtë.

Muaji shtator është ideal për ata që duan qetësinë, diellin, dhe të shijojnë privatësinë…Tani vijnë të rriturit që vijnë me shiju atë qetësinë që ju ka munguar gjatë gjithë vitit.”, shprehet Albulen Ndrepepaj, Operator turistik.

Jemi në pension, ndaj kemi kohë për plazh në vjeshtë. Moti këtu është më I mirë se në Gjermani. Ushqimi është ekselent”, thotë pushuesja nga Gjermania.

Jemi nga Maqedonia dhe zgjodhëm shtatorin sepse ende bën vapë dhe plazhi është i mirë, hoteli është i mirë, gjithçka! Edhe çmimet, por janë pak më të larta se vitin e kaluar”, thotë një turiste.

Përveç pushuesve të huaj që vijnë nga vende te ndryshme të botës, vija bregdetare mbetet e preferuar dhe nga pushuesit tradicionalë, të cilët kthehen çdo herë me të njëjtën besnikëri.

Jemi duke kaluar shumë bukur. Shtatorin e zgjodhëm sepse për shkak që ka më pak pushues dhe koha është më e freskët.”, shprehet pushuesi nga Kosova.

Është pushimi më i qetë edhe më i bukur. Për atë arsye. Që 5-6 vite jemi gjithmonë në shtator. Përveç muajit qershor edhe korrikut se gushti është pak më i ngarkuar me turizëm. Ne jemi kosovarë nga Gjilani dhe e kemi të preferuar gjithmonë Durrësin”, thotë çifti nga Kosova. “Mirë kalojmë, pushim të mirë bëjmë, qetë është. Kanë filluar tani edhe të respektojnë më tepër, më të civilizuar njerëzit edhe këtu. Uji i pastër, çmimet normale se është vend turizmi.”, shprehet ajo.

Interesi i lartë mbështetet edhe nga politika e çmimeve që ofrojnë operatorët turistikë pas mbarimit të verës. Përveç plazhit dhe qëndrimit në resorte, operatorët shprehen se pushuesit e huaj e shfrytëzojnë këtë periudhë edhe për ture kulturore drejt qyteteve të tjera.

Albulen Ndrepepaj, Operator turistik shprehet se “Çmimet zbresin me diku te 30-35%. Edhe ky është një ndër faktorët, por siç e dimë Shqipëria ka dhe një klimë shumë të mirë, temperaturat akoma janë të larta, pastaj kanë mundësi që gjatë një jave qëndrimi mund të shkojnë edhe për ture kulturore siç mund të vizitojnë Krujën, Tiranën, Vlorën, Beratin e të tjerë. Momentalisht kemi nga Polonia, Çekia, Sllovakia, francezë që janë futur së fundmi këtë vit, por gjithashtu duke përfshirë gjithashtu Evropën Lindore, Perëndimore, Nordike gjithashtu edhe Baltike.”

Me kushte mjaft të mira atmosferike dhe paketa më ekonomike deri në mesin e tetorit, plazhet buzë Adriatikut vazhdojnë të mbeten një nga destinacionet më të kërkuara të vjeshtës për turizmin e diellit, detit dhe atë kulturor.

 

Top Channel