Zjarr në fshatin Drojë të Kurbinit, flakët përfshijnë masivin pyjor, digjen edhe disa koshere bletësh
Kryekomisari Saimir Shkambaj është emëruar në krye të Komisariatit të Policisë Sarandë, pas ndryshimeve të firmosura nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Shkambaj vjen nga Tropoja, ku drejtonte komisariatin e policisë. Feliks Hoda, i cili drejtonte Komisariatin e Sarandës prej rreth tre muajsh, transferohet në të njëjtën detyrë në Dibër.
Siç raporton korrespondentja e Top Channel, Entjola Budo, Saimir Shkambaj ka shërbyer fillimisht si specialist për krimet në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Në vitin 2019 u emërua shef i Seksionit të Operacioneve Speciale në këtë drejtori.
Më pas mori drejtimin e Komisariatit të Tropojës, ndërsa tani është emëruar shef i Komisariatit të Sarandës.
Ndryshimi në Sarandë vjen pak ditë pas atentatit në qendër të qytetit, ku u vra 44-vjeçari Artan Myrtaj. Për këtë ngjarje, Policia e Shtetit kishte zhvilluar edhe një analizë me strukturat vendore. Dy ditë më parë ministri i brendshëm kishte kërkuar shkrirjen e zinxhirit komandues të Komisariatit të Policisë Sarandë.
Top Channel