
Aston Villa trondit Liverpoolin në “Villa Park” me një rezultat të pabesueshëm7-2, që nuk do ta besonte tifozi më fanatik i skuadrës nga Birminghami. Ekipi i Jurgen Kloppit, kampion në fuqi në Premier League, u bë qesharak përballë skuadrës së drejtuar nga Dean Smith, duke pësuar një nga humbjet më të thella në histori.
Diçka e pashpjegueshme edhe për faktin se Liverpooli vinte pas tri fitoreve radhazi dhe as që mendohej se mund të turpërohej në këtë mënyrë. Watkins dhe Grealish ishin frymësuezit e këtij triumfi historik të Aston Villas, pasi shënuan i pari tregolësh dhe një asist dhe i dyti dygolësh dhe tri asiste.
Watkins e befasoi Liverpoolin që në fillim të sfidës teksa e tundi rrjetë në minutat 4’ dhe 22’, i shërbyer pikërisht nga partneri i sulmit, Grealish. Mohamed Salah u duk sikur hapi ndeshjen në minutën e 33-të me golin e 2-1, por McGinn dhe sërish Watkins e detyruan Liverpoolin ta riniste edhe dy herë të tjera topin nga qendra, pa u mbyllur pjesa e parë.
Barkley e çoi rezutatin në 5-1 para se Salah të realizonte të dytin personal, por më pas doli në skenë në rolin e golashënuesit Grealish në minutat 66’ dhe 75’, për të vulosur këtë disfatë të rëndë 7-2 të Liverpoolit.
E pabesueshme ajo që ndodhi me skuadrën e gjermanit Klopp, që duhet të bëjë një analizë të thellë dhe të nxjerrë përgjegjësitë, për të mos prishur atë që është ngritur me shumë mund dhe djerse prej 4 sezonesh.
Top Channel