Liga Unike në basketboll, Rama: Shtysë për nisma të tjera Shqipëri- Kosovë

10/09/2020 20:24

Shqipëri dhe Kosova do të kenë një Ligë Unike të përbashkët në basketboll duke shënuar një bashkim në këtë lloj sporti.

I pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes ishte dhe kryeministri Edi Rama, i cili ka folur për këtë nismë duke e quajtur një ëndërr të bërë realitet, duke u shprehur se kjo me siguri do të bëhet shtysë edhe për sportet e tjera që ta ndjekin këtë shembull.

Rama: Kjo nisëm hap një rrugë të re, krijon një model, dhe me siguri do të bëhet shtysë për të tjera. Unë s’mundem veçse ta përforcoj mendimin e dhënë këtu nga dy ministret, që ne jemi më shumë se sa mbështetës. Jemi duartrokitës të kësaj nisme dhe të tjera, në funksion të krijimit të bashkërendimit konkret për të organizuar Liga unike, por jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në drejtime të tjera.

Është dashur një periudhë pjekurie e këtyre ideve dhe dëshirave që kanë ekzistuar prej kohësh. E mbaj mend këtë dëshirë të miqve të mi që janë përkushtuar. Idetë kanë nevojë për kohën e tyre dhe kësaj ideje i erdhi koha dhe kjo është e gëzueshme.

Nga ana tjetër, shumëçka sot duket e vonuar në fakt, deri përpara jo më shumë se 10 vitesh dukej fantashkencë. Sot nuk është më kështu. Jo shumë larg në kohë shqiptarët në të dyja anët e kufirit mësonin në abetare të ndryshme. Tashmë jo vetëm që ka një abetare unike por mësohet pothuajse me të njëjtat programe studimi.

Ka pasur herët jo pak sportistë dhe trajnerë që kanë shkuar në Kosovë dhe kanë qenë pjesë e aktivitetit në fushën e basketbollit. Sot krijimi i ligës e çon edhe këtë shkëmbim në një nivel tjetër, por ajo që është e rëndësishme për basketbolllin, është që ngre nivelin e konkurrencës dhe krijon hapësirë për të pasur më shumë cilësi në ndeshjet në parket në fushën e basketbollit.

FOTO GALERI
5/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA