Ligji penalizon invalidet e grupit të parë që janë në të njëjtin trung familjar, paguhet kujdestar vetëm për një

24/07/2020 21:01

Si dy, si pesë fëmijë invalidë të kesh në familje, shteti paguan vetëm një kujdestar në masën 150%. Nëse ke 1 në masën 100%. Nëse ke dy ose më shumë paguhet njëri vetëm 150%.

Ligji penalizon invalidet e grupit të parë që janë në të njëjtin trung familjar. Nëse janë 1 ose më shumë invalidë në një familje me ligj i takon vetëm një kujdestar i cili paguhet në masën 150%. Pra, rreth 150 mijë lekë.

Nuk ka rëndësi nëse janë dy, tre apo edhe katër. Këtu futen ato familje, fëmijët e të cilëve mund të vuajnë nga sëmundje gjentike siç është edhe Distrofia Muskulare. Por nëse nuk janë në të njëjtin trung, atëherë secilit i takon një kujdestar që paguhet rreth 10 mijë lekë të reja në muaj.

I tillë është edhe rasti familjes Shkëmbi në Lumalas të Korçës, që kanë prej vitesh dy djem të cilët vuajnë nga kjo sëmundje. Sot janë 21 dhe 24 vjeç. Prindërit e tyre i kanë kushtuar jetën, pasi ata nuk bëjnë dot asnjë veprim pa ndihmën e tyre. Prej shumë vitesh ata kanë marrë të dy kujdestari. Me mbërritjen në zyrën sociale të një punonjësje të re është konstatuar që atyre nuk u takonte dhe se duhet të merrnin vetëm 150%. Për këtë arsye njërit prej prindërve ja hoqën kujdestarinë edhe e detyruan që të kthejë mbrapsht shumën që ka marrë deri më sot. Çdo muaj do u mbahet 50 mijë lekë, edhe pse gabimi nuk ka ardhur prej tyre.

Gazetarët e Fiksit pas ankesës shkuan pranë familjes në Lumalas. Djemtë ishin të dy në gjendje jo të mirë dhe të dy kishin nevojën e prindërve për përkujdesje. Nëna e tyre gjatë gjithë intervistës vetëm qan dhe thotë se sado që ta paguajnë atë, ajo e vetme nuk kujdeset dot. Duhet patjetër dikush tjetër. Babai i djemëve thotë që ai mundohet me të gjitha për t’u kujdesur për djemtë, por absolutisht është shumë e vështirë, sidomos në fshat ku nuk kanë as ku të dalin. Karrocat që ata kanë nuk janë për rrugët e pa shtruara të fshatit.
Babai mundohet t’i nxjerrë djemtë me karrocë në rrugë, njëri nuk pranon, ai që është edhe në gjendje më të rënduar pasi ka dhimbje dhe ka frikë se mos rrëzohet nga karroca. Pamjet janë dramatike.

Babai tregon se ata jetojnë me pensionet e fëmijëve dhe atë pak pune në arë. Lekë nuk kanë që t’i kthejnë shtetit për ato që do marrin, do jua heqin fëmijëve e do paguajnë. Ligji është ligj, nëse nuk na takon, nuk kemi ç’të bëjmë.

Fiksi ishte edhe pranë zyrës së Njësisë Administrative Bulgarec. Punonjësja e zyrës ekonomike nuk pranon të japë intervistë edhe pasi foli me eprorin. Ajo pranon t’i sqarojë gazetarët duke thënë që unë e di që kamera është e hapur por s’ka problem.

Punonjësja thotë se ishte pikërisht ajo që e zbuloi gabimin. Sipas saj kështu e ka ligji. “Edhe nëse do të kishin 4 fëmijë po 150 % do të paguheshin. Ne kemi marrë ankesa që nuk kujdesen dot, por ligji kështu e ka. Unë e kapa gabimin edhe tani duhet të kthejnë lekët mbrapsht. Nuk di ca të them për atë që e ka bërë.”-pretendon ajo.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta