Ronaldo dështon në Lisbonë, shoku i tij te Al Nassr bëhet heroi i Portugalisë

24/09/2026 23:08

Portugalia e ka nisur me fitore përballjen me Uellsin në Ligën A të Kombeve, duke triumfuar 1-0 në Lisbonë, në një mbrëmje ku Cristiano Ronaldo nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës.

Sulmuesi i Portugalisë pati disa mundësi për të shënuar, ndërsa në pjesën e dytë realizoi edhe një gol, por festa zgjati vetëm pak sekonda. Ndërhyrja e VAR-it anuloi golin e Ronaldos për pozicion jashtë loje. Vendimin e ndeshjes e mori Joao Felix në minutën e 22-të. Sulmuesi i Al Nassr, njëkohësisht shoku i skuadrës së Ronaldos, goditi portën dhe topi u devijua nga Ben Davies, duke përfunduar në rrjetë.

Ronaldo, që regjistroi paraqitjen e tij të 234-t me Portugalinë, u zëvendësua në minutën e 67-të, duke e mbyllur mbrëmjen pa gol. Pavarësisht rezultatit minimal, Portugalia ishte dukshëm superiore në lojë. Ekipi vendas regjistroi 22 gjuajtje ndaj vetëm 5 të Uellsit, duke e merituar fitoren në Lisbonë.

Për Uellsin, sfida është pjesë e një grupi të fortë në Ligën A, ku përballë ka gjithashtu Norvegjinë dhe Danimarkën. Pas ngjitjes në elitë dy vite më parë, trajneri Craig Bellamy e sheh këtë nivel si një mundësi për të matur ekipin me kundërshtarët më të fortë dhe për të përmirësuar pozitat në prag të Euro 2028.

Top Channel