2 korriku 1990, kur thyhej muri i ambasadave, rregjimi komunist po shkaterrohej. Fotot qe kane shenjuar historine

02/07/2020 12:47

Ngjarjet e ambasadave në Tiranë, në korrik të vitit 1990, treguan qartë se regjimit komunist në Shqipëri po i rrëshkisnin frerët nga duart.

Ishte koha kur Shqipëria po bënte përpjekjet e para për të dalë nga koraca e hekurt e bunkerit komunist. 20 vjet më parë, në korrik të vitit 1990, të rinjtë vërshuan drejt ambasadave të huaja në Tiranë për t’i thënë lamtumirë diktaturës dhe për të dalë në një botë të lirë e demokratike.

Strukturat qeveritare nuk mundën ta menaxhonin atë krizë dhe të ndalnin revoltën masive.

Luan Rama, ish-punonjës në Drejtorinë e Shtypit, në Ministrinë e Jashtme, flet për këtë tronditje të shoqërisë shqiptare:

« Ne sapo kishim filluar punën në Ministrinë e Jashtme (Drejtoria e Shtypit) dhe po përjetonim një moment mjaft interesant të kohës, një lloj « liberalizimi ». Kishim kontakte të vazhdueshme me gazetarët e huaj dhe me agjensitë e ndryshme : gjermane, austriake, franceze, italiane, greke, angleze, spanjolle, amerikane etj. Në këtë kohe filloi nje lloj lëshimi nga ana e Ministrisë së Jashtme dhe u pranuan më shumë gazetarë të huaj. Informacioni qarkullonte më lirë. Nga një anë Ramiz Alia kërkonte të jepte pamjen e një liberalizimi të regjimit, por, me sa duket, ai ishte në një lloj dyluftimi me forcat konservatore që nuk pranonin asnje lloj lëshimi. »

Informacionet vinin nga mediat e huaja

Në shtypin vendas nuk kishte informacion për atë çka ndodhte, megjithatë njerëzit, përmes stacioneve të huaja radiofonike në gjuhën shqipe, si dhe prej televizioneve të huaja : italiane, greke si dhe ish-televizioni jugosllav, merrin lajmet më të fundit. Kishte disa intelektualë që flisnin me zë të hapur.

Kadare jepte informacione të vazhdueshme në intervistat e tij për situatën. Ngjarjet e kohës së rënies së Murit të Berlinit influencuan shumë edhe në Shqipëri. Me gjithë censurën që ekzistonte, një pjesë e informacionit kalonte. Ishin disa akte të «Komitetit te Helsinkit » apo te « Amnesty International », të cilat e akuzonin Shqipërine për shkelje të të drejtave të njeriut.

Luan Rama pohon se edhe vetë Presidenti Ramiz Alia, u detyrua të bëjë disa lëshime :

« Në këtë prizëm ishte edhe kontakti i parë që u zhvillua me Sekretarin e Përgjithshem të OKB-së, Peres De Kuelar, i cili erdhi në Shqipëri.

Unë kam qenë në Ministrinë e Jashtme në atë kohë. Kishte një predispozicion për të bërë hapa përpara në drejtim të lirisë së qarkullimit dhe informimit, por duhet thënë se të gjitha këto ishin të detyruara. Ishte një ide dhe një detyrim, që bëhej në bazë të një presioni të madh publik e politik ndërkombëtar. Shqipëria ishte një vend shumë i varfër dhe kishte nevojë për ndihma ekonomike. Në kushtet e një mizerje totale ekonomike, pa dyshim që politikanët shqiptarë nuk kishin se ç’të bënin tjetër veçse të shkonin drejt liberalizimit. »

Tensioni rritet me dyndjen në ambasada

Pikërisht në periudhën e nxehtë të 2 korrikut, gradët e temperaturës u rritën edhe nga një tension tjetër, nga dyndja e shumë qytetarëve, sidomos e të rinjve, në ambasadat e huaja në Tiranë: Luan Rama, jo vetëm në profilin e një zyrtari, por edhe nën peshën e ndërgjegjes së një letrari nuk mund të rrinte pa i fiksuar këto ngjarje edhe në ditarin e tij personal:

« Në atë periudhë kam mbajtur një ditar.

1 korrik : “Gjëndja është e turbullt. Së shpejti këtu do të publikohet ligji ri i vizave dhe pasaportave. Çdo njeri do të ketë të drejtën për të dalë jashtë. Por shumë njerëz nuk besojnë.”

2 korrik: “Që nga largimi i Popajve njerëzit janë të pakënaqur, kanë marrë krah, e kuptojnë se nuk ka një rrugëzgjidhje për ta dhe rrugëzgjidhja e vetme janë ambasadat. Para dy ditësh ishin futur nja 7-8 vetë tek ambasada turke. U ra dakort që t’i nxirrnin, t’u jepnin pasaporta dhe të iknin etj”

Në datën 3 korrik shkruaj : “Sot hyrja u la e lirë, policët u thoshnin njerëzve të mos hyjn ënga muret, por nga porta, se nuk do t’i prekte njeri. Doli dekreti që çdo shtetas mund të shkojë në një ambasadë për të marrë viza. Dyndja ishte e madhe. »

Në datën 6-7 korrik në Shqipëri mbërrin suedezi Staffan de Mistura, i dërguari special i Sekretarit të pergjithshëm të OKB-së, Perez de Kuelar, për të rregulluar të drejtën e lirisë së qarkullimit të njerëzve përtej kufirit. Ndërhyrja e OKB-së ishte vendimtare në atë moment. Ambasadat perëndimore në Tiranë ishin shumë të predispozuara për të ndihmuar, por në pararojë ishte Ambasada Gjermane. Zoti Rama, duke qenë në Ministrine e Jashtme të Shqipërisë nuk mund të linte pa parë nga afër angazhimin e madh të ambasadorit gjerman, Werner Daum :

«Tani njerëzit po futeshin me mijëra, sidomos në Ambasadën Gjermane. Kjo e zuri në befasi regjimin. Ishte një lloj tronditje që vinte nga lart, deri në Ministrinë e Jashtme. Aty kishte një pritje të jashtëzakonshme nga ana e autoriteteve gjermane. Kishte familje që kërkonin njerëzit e tyre. Mbaj mend se në datën 10 korrik ambasadori gjerman, Werner Daum erdhi në Ministri dhe bëri një presion të jashtëzakonshëm lidhur me mbrojtjen e refugjatëve, që njerëzve t’u jepeshin pasaportat e vizat. Mbaj mend një skenë mjaft filmike. Një nënë malësore kishte ardhur në Tiranë. Ajo kishte kërkuar të takonte të birin e saj, por nuk arriti dot. Në momentin që Daumi po dilte nga ambasada, kjo nënë, e irituar, në revoltim e sipër i theu xhamin e makinës se i kërkonte të birin e nuk merrte një përgjigje. Kjo nënë do ta ketë kuptuar më vonë se cili ishte akti i madh i Daumit, i Ambasadës Gjermane dhe i Gjermanisë, që në atë kohë mbronin fatin e refugjatëve. Ata e shikonin këtë lëvizje si një prelud për lirinë e ardhshme të Shqipërisë. »

Spontanaitet me burim te revolta popullore

Gjithçka ishte spontane, por ky spontanitet u krijua nga një revoltë dhe zemërim i thellë popullor. Njerëzit ishin të pakënaqur. Kërkonin dritë, kërkonin të lëviznin.

Diplomati e publicisti Luan Rama ka shumë mbresa, informacione e fotografi për ngjarjet e asaj kohe. Nga ditari i tij veçojmë njërën prej tyre. :

« Në Ministrinë e Jashtme, në atë kohë kur përgatiteshin pasaportat, që këta njerëz të mund të iknin, midis fotografive që kam parë ishte edhe ajo e një spikereje të njohur të Televizionit Shqiptar. Ajo guxoi të largohej nga Shqipëria me idenë se kjo ishte një protestë kundër regjimit. Ja se çfarë unë shkruaj për këtë fakt : E titulloj :« Bonjour tristesse ! » – « Mirëdita trishtim ! » … »

Ngjarjet e korrikut tronditën shoqërinë shqiptare. Në to morën pjesë njerëz të thjeshtë, njerëz të vuajtur, njerëz të protestës, njerëz që kishin përjetuar dhunën e një sistemi diktatorial. Ato ngjarje patën një rrezatim shumë të madh dhe, pa dyshim, ishin shkëndijat e para që i dhanë shtytje një lëvizjeje më të madhe drejt lirisë dhe një jete të re.

FOTO GALERI
9/19

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA